Shkreli: Parlamenti te ish-Komiteti
Qendror, debat për Piramidën

Shkreli: Parlamenti te ish-Komiteti<br />Qendror, debat për Piramidën
TIRANE- Godina e Parlamentit do të ndërtohet tek ish godina e Komitetit Qendror, ashtu sikurse ishte parashikuar në planin francez. Dilemat rreth Piramidës marrin fund me këtë lëvizje. Ajo nuk do të shembet, por do të ndryshojë funksionin. Ndërsa godina aktuale e parlamentit me shumë gjasa do të shndërrohet në Teatrin e ardhshëm Kombëtar dhe  godina e vjetër e Teatrit Kombëtar po sipas planit francez do të riformulohet. Artan Shkreli, anëtar i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë, në këtë intervistë për Shqiptarja.com i artikulon me bindje këto lëvizje strategjike për qendrën e kryeqytetit (të gjitha sipas parashikimit të planit francez), por thekson se këto qeveria e re i ka ndërmend, pra nuk ka ende një vendim zyrtar.
 
Z.Shkreli, a është e vërtetë se Parlamenti i ri do të ndërtohet atje ku ishte planifikuar që në fillim me planin francez, pra jo në vend të Piramidës?
-Qeveria e re ka ndër mend, ta realizojë këtë, por nuk e ka vendosur ende. Qeveria Berisha e vendosi në mënyrë arbitrare dhe pa asnjë plan Urbanistik, që ta spostojë godinën e re të parlamentit tek Piramida, ndërkohë që tek ky objekt (Piramida) kishte filluar financimi për një teatër dhe ishte lëvruar më tepër se gjysma e parave. Pra ajo qeveri në mënyrë arbitrare hodhi poshtë një konkurs ndërkombëtar dhe vendosi të hapë një konkurs tjetër. Tashmë kjo do të korrigjohet.

Qeveria Rama mendon të rikthehet tek ideja e parë, ajo e planit francez, i cili është i mirëqenë pasi nuk ka pasur asnjë argument teknik, ligjor dhe urbanistik për ta hedhur poshtë dhe për më tepër nga një plan i përgjithshëm qyteti, i cili nuk mbështetet në një plan strategjik.
Kështu që parlamenti i ri eventualisht do të jetë aty ku është përcaktuar nga plani francez, në ish-godinën e Komitetit Qendror, aty ku sot janë zyrat e Kuvendit. Ngelet akoma enigmë, nëse ky parlament do të financohet nga qeveria shqiptare apo do të ketë ndonjë financim tjetër. Një gjë është e qartë që plani francez, të paktën sa i takon parlamentit të vazhdojë të implementohet.
 
Kjo do të thotë se piramida nuk do të rrëzohet. Çfarë do të ndodhë tashmë me piramidën? Cili do të jetë destinacioni i saj?
-Piramida nuk do të prishet dhe mendimet e shprehura nga nëj kolegj arkitektësh vendas e të huaj rreth ripërdorimit në një funksion të ri të Piramidës do të shprehen shumë shpejt në një vendim të ardhshëm të Këshillit Kombëtar të territorit, ku me shumë gjasë, piramida do të ruhet por duke ndryshuar funksionin dhe duke ia përshtatur atyre nevojave që njerëzit sot po e përdorin atë, pra mënyrës se si imagjinojnë, për zbavitje, etj, etj, dhe janë disa propozime. Çështja e piramidës shumë shpejt do të shtrohet edhe në një debat publik.
 
Çfarë do të bëhet pas kësaj me godinën aktuale ku është salla e parlamentit të sotëm?
-Ajo sallë ku është parlamenti sot, me shumë gjasë do të jetë Teatri i ardhshëm Kombëtar, një ide që është parashikuar po në planin francez. Ndërsa parqet e parlamentit do të jenë parqe publike, por një pjesë e tyre do të riformulohen për të qenë konform rëndësisë dhe dinjitetit që kërkon një Teatër Kombëtar i vendosur në pjesën më cilësore të kryeqytetit dhe në zonën historike të tij.
 
Dhe e fundit e hallkave të këtyre lëvizjeve është godina e Teatrit Kombëtar. Çdo të ndodhë me të? 
 
-Nuk e di, godina e teatrit kombëtar është një godinë që në planin francez riformulohet në një mënyrë të caktuar, por është një godinë që nuk është bërë për t’i rezistuar kohës, në kuptimin që ka qenë një godinë e përkohshme dhe me funksion të përkohshëm. Çdo gjë do të bëhet sipas planifikimit. Mos të harrojmë se qendra e Tiranës është shpallur zonë me rëndësi kombëtar nga qeveria Rama, që do të thotë se me vendimmarrjen në qendrën e Tiranës bashkia e kryeqytetit e ka të kontrolluar.

 
Rama: Parlamenti, aty ku janë sot zyrat e Kuvendit
Ngritja e godinës së re të parlamentit sipas planit francez u deklarua dhe nga kryeministri Rama në një intervistë për Ilir Babaramon në “5 pyetje nga Babaramo” në tv A1 Report më 14 tetor.
“Parlamenti aty është përkohësisht. Do jetë ku e ka vendin. Dhe vendin e ka në hapësirën ku sot janë zyrat e parlamentit. “I pyetur nëse do rikthehet tek projekti francez, i miratuar nga ai kur ishte kryetar i bashkisë së Tiranës tha: “Është i vetmi vend që ka sens logjik për Kuvendin e demokracisë. Por duhet vendi i duhur. Jam besimplotë se do zgjidhet. Por nuk premtoj stadium dhe parlamente thjesht nga dëshira. Në planin logjik atje duhet të ishte Teatri Kombëtar. Por kanë ndryshuar disa gjëra për keq, mbetet për t’u parë.”- pati thënë Rama. 
 
 
Forumi: Piramida të mos shembet
Pak ditë më parë përmes një deklarate për shtyp Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore deklaroi se kishte vendosur të kërkojë “anulimin e ligjit për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, që automatikisht ka vendosur për prishjen e Piramidës”. Përmes këtij anulimi në mënyrë automatike përjashtohet dhe shembja e ndërtesës së ish-muzeut të Enver Hoxhës, apo, siç njihet Piramida.
 
 
Shkrimi u publikua sot (3.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Erlind Sulo emërohet drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore

Erlind Sulo emërohet drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore