Letërsia e autorëve të rinj ka pasuruar këtë vit panairin e librit në Tiranë me vepra  të veçanta, duke shfaqur para lexuesve shkrimtarët e së ardhmes. Romanet e dy shkrimtareve të reja, Xhensila Dautllari dhe Ena Bulku, të dyja fituese të çmimit për krijuesit e rinj, janë në të vërtetë vetëm dy ndalesa në prurjet e shumta të shkrimtarëve të rinj në edicionin e këtij viti të Panairit të librit. 

“Xhensila Dautllari është vetëm 21 vjeç ajo është një nga fitueset e fondit të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit për autorët nën 35 vjeç dhe më pëlqen që të flas për të duke pasur parasysh të gjithë brezin e të rinjve. Ka një prurje që ja vlen të merren në konsideratë në letërsinë shqipe”, thotë Arta Marku, gazetare, përkthyese, studiuese dhe kritike letrare, duke ju referuar romanit thriller të Xhensila Dautllarit me titull “Anahera”, që vjen si botim i shtëpisë botuese Toena.

“Interesant është që libri i saj  është i kategorisë së thrillerit që është një gjini pak e lëvruar në Shqipëri dhe  ndoshta po fillon dhe po hapet një rrugë e re për letërsinë shqipe”, thotë Arta Marku.

Po ashtu grishës është edhe romani i Ena Bulkut, “Pallati i dëshpërimit”, botuar nga shtëpia botuese “Ombra GVG”.

Botuesja Vasilika Tafa zbulon se “Ena është një artiste e artit vizual, që ka sjellë një roman befasues për nga struktura e tij dhe nga mënyra se si autorja i prezanton personazhet. Ata nuk kanë emra, janë thjeshtë numra. Ato i kemi afër pallatit tonë, i kemi në lagjen tonë, në rrugën tonë”.

Sipas botueses Vasilika Tafa, “ky libër realisht sfidon në letërsinë e sotme shqipe dhe me këto prurje të reja, që kanë tashmë shkrimtarët e rinj, patjetër që letërsia do të ecë në rrugë të mbarë”.