Në panairin e librit në Tiranë, përveç botimeve të reja,  mund të gjesh edhe thesare të botimeve të vjetra, tituj të rrallë, përkthime, apo studime të autorëve që kanë jetuar 50 vjet apo edhe një shekull më parë dhe këto më çmime shumë të arsyeshme. 

Stenda e shtëpisë botuese “Pika pa sipërfaqe”, e ofron këtë mundësi për të disatin vit me radhë dhe ka tërhequr dukshëm vëmendjen e vizitorëve të Panairit.

Joli Lamaj, redaktore ne shtëpinë botuese “Pika pa sipërfaqe” na shuan kureshtjen për ndërthurjen që kanë bërë mes titujve të rinj  botuar vitin e fundit dhe librave të vjetër deri edhe koleksione e ekzemplarë të rrallë që shiten në stendën e tyre. 

 “Është i disati vit tashmë që ne në panair sjellim një stendë brenda stendës së madhe, që ka libra të vjetër nga periudha e komunizmit, ka raste që kemi edhe ndonjë koleksion të vogël për të interesuarit. Ata kuptohet kanë çmime shumë më të ulëta, madje edhe më të ulëta se zakonisht në funksion të panairit dhe ka interes shumë të madh. Pastaj janë edhe botimet e reja. Përherë ne përpiqemi të kemi 5 apo 6 tituj të rinj që përfaqësojnë ose ndonjë kolanë në filozofi, letërsi, memuaristikë ese, etj”, thotë Joli Lamaj.

Sipas saj interesi i lexuesve edhe në këtë stendë shkon kryesisht për autorët përfaqësues të letërsisë dhe filozofisë dhe kjo ndodh si për botimet e reja ashtu edhe për sektorin e librit antikuar.

“Interesi më i madh është te kryeveprat mirëpo ka edhe lexues që kanë zbuluar edhe shkrimtar të tjerë.  Çdo vit ndodh që del në sipërfaqe një autor që ka interes, dhe ndodh që ai të jetë përkthyer njëherë e një kohë dhe shpërndahet interesi”-, thotë ajo.

Lamaj shton se  më shumë kërkohen antologjitë, si ato të poezisë turke, franceze, greke, etj.

“Ka po ashtu kërkesa për botime që kanë dalë para 1944-ës, edhe këtu interesi është i ndarë sepse janë shumë që kërkojnë botime të veçanta në fushën e letërsisë, janë gjithashtu edhe disa botime në formën e studimeve që kërkohen nga studiues, etj”, thotë Joli Lamaj.

Botimet e disa dekadave më parë mbeten gjithmonë grishëse për lexuesit dhe ditët e Panairit e krijojnë mundësinë për të gjetur edhe një libër të rrallë, botuar në një epokë tjetër, madje edhe me çmim të reduktuar.