Shkrimtari Visar Zhiti rrëfen
diktaturën në Nju-Jork

Shkrimtari Visar Zhiti rrëfen<br />diktaturën në Nju-Jork
TIRANE - KUJTESA DHE LIRIA, RIKTHIM TEK VIRTYTET...
duke dalë nga burgologjia… mes dy statujave amerikane -
 
...ndërsa po nisesha për këtu, në një shesh të Tiranës pashë shtatoren e (porsa) ngritur gjatë festimeve të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, atë të një amerikani të madh, Presidentit Ëilson, që doli në mbrojtje të të drejtave të popujve të vegjël dhe ndali copëtimin e  mëtejshëm të Shqipërisë. Dhe Shqipëria mbeti, aq sa ç’është sot, prej asaj ndërhyrjeje jetike dhe shteti i saj u fut tashmë në shekullin e dytë të punës.

Vështrimi m’u fiksua tek cilindri amerikan mbi kryet e shtatores, s’e di pse. Diktatori ynë, krahas borsalinës, kishte mbajtur dhe kokore sovjetike dhe kasketë kineze. Dhe i ngjeshi popullit helmetën, po mendoja, teksa e armiqësoi me botën dhe rrekej gjithë delir ta përgatiste të luftonte fillikat kundër SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik njëkohësisht dhe të fitonte, sepse kishte në duar armën e marksizëm-leninizmit.

Absurditet dhe marrëzi vrastare, thashë me vete dhe pashë përsëri nga shtatorja e Ëilsonit. Bronz i kujtesës, metaforë e mirënjohjes, mërmërita. Ky imazh nuk do të më ndahej gjatë udhës qiellore për në Nju-Jork. Ndërsa ai copëtim i pakryer i trojeve tona sikur kaloi në mëndësinë tonë si kompleks, preku dhe mishin e gjallë të jetës dhe, kur ne nuk po na copërlonin të huajt, po ia bënim vetes.

Por unë, edhe pse vij këtu si kujtim i një dhëmbjeje në gjyqin e Nju-Jorkut, ku do të dënohet moralisht diktatura, i ftuar nga organizata “Albanian-American Freedom House”, me president z. Muç Xhepa,... ndërkaq do të doja të flisja për ndryshimet që bën jeta shqiptare, për ato metafora aq të befta, ndoshta nga që kam qënë dënuar për metaforat.

Ja, burgu ynë u shndërrua në kujtesë, në burgologji dhe koha duhet të shkëputet ende më tepër nga psikoza munduese e së kaluarës, pa e harruar.....

NË TEMPULLIN E KUJTESËS

duhet të kthehemi herë pas here. Është njohje e së vërtetës, e vetes si individ dhe shoqëri, si komb dhe histori, që shumëçka të shndërrohet në përvojë dhe profilaksi, me qëllim që të mos përsëritet e keqja dhe të dimë që ëndrra e thyer të përtërihet e të bëhet sa më parë vepër e të prekim të ardhmen. Janë të domosdoshme “Shtëpitë e lirisë”, si vatra me zjarrin e çështjeve, jo me hirin. Jo vetëm të flasim për ç’ka ngjarë, por prej tyre të nxjerrim dukurinë.

Ja, në vendin tonë teatrot dhe kinematë ekzistuese, me të mbaruar lufta, i shndërruan në salla gjyqesh. E pa imagjinueshme. Në mesjetë ka patur një ide kësisoj, Theatrum mundi, që e shihte botën si një teatër, ku njerëzit kthehen në aktorë. Komunizmi shqiptar bëri të kundërtën.

Në skenën e Teatrit Kombëtar u vendos trupi gjykues, jo me aktorë, por me komisarë dhe komandantë të luftës, Përballë intelektualë, deputetë, gazetarë e shkrimtarë mes tyre, patriotë të gjithë, ata që ishin kundërshtarë, por që sistemi i shihte dhe i trajtonte si armiq që duheshin vrarë.

Në llozhat lart rrinte Enver Hoxha, ndiqte gjyqin dhe ndoshta dora zgjatej për monoklin siç bëjnë nëpër opera në Perëndim dhe kapte revolverin.  Në altoparlantët jashtë nëpër rrugë të qyteteve të vendit dëgjoheshin gjyqet si gjëmime, si kërcënim. Binin copa fjalësh, emra. Dënoheshin me burg e pushkatim nga ata burra që kishin sjellë historinë e Shqipërisë deri aty. Ndërpriteshin jetët e tyre.

Mendo pastaj se si do të ishin dramat që do të viheshin në ato skena, realizëm socialist acarues, më shumë propagandë dhe s’dihej se sa art mbartnin. Dhe absurdi shkoi më në absurd,u arrestuan dhe metaforat, nuk lejoheshin në letërsi, kur në realitet të llahtarisnin.
 
“SHQIPËRIA QË SHTYPEJ”

megjithatë guxoi dhe u ngrit. Kryengritja e Postribës. Me të drejtë kujtohet se vetëm 19 ditë zgjati ajo që historia e re e quan Revolucioni Hungarez i 1956-ës, ndërsa maleve të Shqipërisë do të vazhdonin betejat me armë në dorë mbi 10 vjet të tjera rresht. Përrenjtë sillnin gjakun e tyre, edhe kufoma.

Në burgjet tona politike pati dy revolta masive, ajo e Spaçit, ku u ngrit Flamuri Kombëtar, nga vëllezërit Coku me shokë, i sajuar nga një këmishë me gjak, pa yllin e komunizmit dhe përsëdytja e saj në Qafë-Bar, të vetmet në të gjithë perandorinë komuniste, ku u ridënuan të dënuar, dhe me pushkatime, pastaj u dënuan dhe vetë burgjet. Edhe ushqimit i hidhnin sodë sapuni për vdekje jo dhe aq të ngadalta. Nga që duhej të vazhdonim punën nëpër miniera gjithandej....

Si shkrimtar këtu është rasti të kujtoj me nderim të dhëmbshur nismëtarët, autorin e romanit të parë shqiptar Dom Ndoc Nikaj, të cilin e futën në burg në moshën 82 vjeçare si kundërshtar të regjimit, ku dhe vdiq pas 5 vjetësh. Dhe tragjedianin e parë Et’hem Haxhiademi e helmojnë një javë para lirimit nga burgu.

Në burg çuan dhe autorin e librit të parë me kritika, shkrimtarin Mitrush Kuteli, themelues i tregimit modern shqiptar së bashku me Ernest Koliqin, por ky i dyti i shpëtoi dënimit, kishte mbetur në Itali, ku dhe themeloi në Romë katedrën universitare të albanalogjisë.

Në atdhe u dënua  vepra e tij, u ndalua dhe dënohej lexuesi i tyre. Po edhe ai e dënoi diktaturën komuniste duke shkruar mes të tjerash dramën profetike, e para dhe e vetmja e këtij lloji, “Rrajët lëvizin”, ku si një anti-Oruell, me të cilin ishte moshatar, parashikoi, si asnjë shkrimtar tjetër në të gjithëLindjen, rënien e komunizmit, që e filloi tatëpjetën pothuaj kur ai e përllogariti artistikisht, në vitet ’70 të shekullit të kaluar.

Edhe gruan e parë shkrimtare, Musine Kokalari, lauruar në Romë, disidenten e parë grua në të gjithë perandorinë komuniste, themeluese e një partie social-demokrate, e burgosën, më pas e internuan, ku punoi si punëtore nëndërtim dhe vdiq e vetmuar, ndërsa kamioni i llaçit, pa funeral, e hodhi në gropën e hapur për të.

Kurse një shoqen e saj, Sabiha Kasimati, biologe elauruar në Torino, e pushkatuan mes një grupi burrash kundérshtarë. Dhe emra të tillë prometeanë u zëvëndësuan me emrat që përzgjidhte diktatura, të skifterëve që hanin mëlçitë mitike të realitetit......
                                       
GJUHA, DËNOHET DHE AJO

Dua të them diçka, që lidhet me të. Kur poetin Frederik Reshpja e pyetën nëse e pranonte akt-akuzën, jo, u tha duke e dridhur, nuk e pranoj. Pse? Sepse ka gabime ortografike. Kundër-akuzë e rafinuar. E para dhe e vetmja. Pra, po na dënonin të vrazhdëtit, ata që nuk dinin të shkruanin gjuhën e tyre.

Nga ky kompleks ata arritën të bëjnë masakra dhe me gjuhën si organ, fizikisht, ja, duke ia nxjerrë me zor nga goja Dom Mark Hasit dhe pasi ia shtrinë mbi tryezën e torturave, i ngulën thikën përsipër. Gjuhës(?!). Folë, pse nuk flet, i ulërinin. Ky akt sikur parandillte metaforikisht atë që do të ndodhte me gjuhën shqipe.

Tharjen. Pra dhe tharjen e mendimeve. Do të vendosej kështu standarti zyrtar, si me thikë, ku një kongres do ta quante gjuhë letrare, duke lënë jashtë mbase gjysmën e thesarit të dialekteve, sidomos të gegërishtes dhe gjuhën liturgjike të shqipes. Natyrisht që askush nuk mund të jetë kundër gjuhës letrare, por ajo nuk duhej të vinte sindërhyrje e partisë së diktaturës.

Po të shfletojmë dosjet, kancelaria e diktaturës në fillimet e veta i ka shkresat të shkruara keq, shëmtueshëm, me gabime të rënda jo vetëm drejtshkrimore. Me përmirësimin e shkrimit në vite, u përmirësuan dhe përgjimet, përndjekjet, u bënë më të rafinuara, lufta e klasave u bë profesion dhe makineria e dhunës punonte perfekt, e vetmja në industrinë e asaj kohe.

Ka që thonë se kishte rregull atëhere. Po, rregull burgu. Kishte qetësi. Po, qetësi varrezash.
Prandaj ikën dhe erdhën këtej dhe profesor Arshi Pipa, studiues e poet, kundërshtar i hapur, që, me të dalë nga burgu, u arratis bashkë me poezitë etij. I kishte shkruar fshehurazi në letra të holla cigaresh.

I gjithë libri ishte më i vogël se një kuti shkrepseje. Këtej punonin dhe profesori i ikur, Isuf Luzaj, poet, narrator dhe filozof.  Kur studiuesit dhe eseistit, profesor Sami Repishti, të dënuar me 10 vjet burg si i zhgënjyer dhe kundërshtar, në ditën që mbushi gjysmën e dënimit, i kërkojnë të firmosë pendimin e tij, si kusht që ta lironin, jo, u tha, do ta bëj dhe gjysmën tjetër.

Në librat e tij, kur tregon për torturat e tmerrshme, unë nëpërmënd tim atë, ashtu ia bënë dhe atij, edhe xhaxhanë, që u shua në tortura. Pasi kreu të gjithë burgun, profesor Repishti, nga, nën hijen e Rozafës, kaloi nën hijen e Statujës së Lirisë.

Shqipnia enjimendtë ishte nën dhé, thotë ai, por po del, besojmë ne. Këtej erdhi për t’i shpëtuar burgut dhe poeti i baladave çame, Bilal Xhaferri. Gjetën patriotë nga Dostët e Dinet, nga Markagjonët e Mirakajt e Agajt, etj, etj.....
 
QË DOSJET TË HAPESHIN

shumë veta në Shqipëri ngrinin zërin me të drejtë herë pas here. Krahas çertifikimit të krimeve, kërkohet të dihen dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit, ata të policisë politike. Unë kam shtuar që bashkë me listen e bashkëpunëtorëve, krahas çdo emri a pseudonimi, të vihen dhe emrat e atyre që i bënë ata spiunë dhe si

Torturat kanë qenë lemerisëse. Në botë ishin bërë të njohura dhe me Sollzhenicinin, me “Arkipelagun Gulag”, por tani i kanë rrëfyer dhe autorë shqiptarë.

Ndërkaq duhet të kujtojmë ataqë nuk pranuam bashkëpunimin me të keqen, edhe kur i torturonin si Dinia që kam përballë bashkë me të birin, Leka, por dhe e shoqja e tij në internim, ku mes shumë vuajtjeve, rrobat e fëmijëve të tyre i arnonin duke përdorur në vend të perit, kur s’e gjenin dot, fijet e gjata të flokëve.

Listës së dytë me emrat e spiunbërësve i shmangen të nervozuar dhe më me forcë ata që kanë forcë. Ndërkaq përsa i përket tranzicionologjisë tonë, do të thosha se ajo zgjati ca si tepër e me mundime, se duhet të bëhej demokracia me kundërshtarët tradicionalë të saj, se duhet të ndërtonim kapitalizmin me armiqtë e kapitalit e të pronës private në doktrinë.

Dëmshpërblimi simbolik i të persekutuarve ka qënë i shoqëruar dhe me rritjen e pensioneve të oficerëve të diktaturës, ndërsa presidenca e republikës dekoron ish të persekutuar për qëndresën e tyre dhe ish persekutorë për kryerjen e detyrës.

Një operativ, që u mor dikur ca kohë me mua për të më bërë  bashkëpunëtor, më fton në festën e përurimit të fabrikës së vet ushqimore, se kishte respekt tani, thoshte, nga që nuk pranova bashkëpunim me Sigurimin.

Po atëhere, kur ai me shokë ma kërkonin me kërcënime kishte respekt? Pyet. Apo e kishte punë që duhet ta kryente me zellin e tanishëm që ka për biznesin, është pronar rishtar, kur të tjerë nuk i marrim dot aq kollaj pronat e etërve? Do të doja që ai me shokë të flisnin, të tregonin....

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 07.03.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë