Një ngjarje e pazakontë ka tronditur një turne ndërkombëtar të futbollit për të rinj në Goteborg të Suedisë, ku 20 futbollistë të moshës nga 14-17 vjeç nga një ekip etiopian, së bashku me disa shoqërues të rritur, janë zhdukur pa lënë gjurmë. Sipas mediave suedeze, policia po e heton rastin si një largim të mundshëm vullnetar, të lidhur me migrimin e paligjshëm. Në turne morën pjesë skuadra nga 77 vende të botës, mes tyre edhe katër ekipe nga Etiopia.

Organizatorët vunë re mungesën e një prej skuadrave etiopiane në ditën e finales, pasi ekipi ishte larguar nga ambientet e turneut pa njoftuar askënd. Menjëherë pas kësaj, rasti iu raportua autoriteteve suedeze.

Edhe dhjetë ditë pas përfundimit të aktivitetit, futbollistët dhe shoqëruesit e tyre vijojnë të jenë të zhdukur. Kontakti i fundit me përfaqësuesit etiopianë ishte një mesazh ku falenderonin organizatorët për bashkëpunimin dhe përmendnin "probleme komunikimi", pa dhënë asnjë informacion mbi vendndodhjen e ekipit apo kthimin në Etiopi.

Autoritetet suedeze kanë konfirmuar se grupi nuk është larguar nga Suedia drejt vendit të origjinës. Sipas vlerësimeve paraprake të policisë, lojtarët dhe shoqëruesit e tyre janë larguar vullnetarisht nga turneu dhe mund të kenë zgjedhur të qëndrojnë në Suedi, duke kërkuar një jetë më të mirë për shkak të situatës së vështirë në Etiopi.