Shkuarja e një mitingashi

Shkuarja e një mitingashi

Sllobodan Milloshevic

Mediat serbe njoftojnë se ditë më parë ka vdekur në Nish Mirosllav Sholleviqi. Në vitet 1980 Sholleviqi ka qenë mitingashi kryesor i Sllobodan Millosheviqit në Kosovë dhe emisari i tij për nxitje të urrejtjes kudo në Jugosllavinë socialiste. Në fillim të prillit, të 1989-s, revista gjermane “Der Spiegel” shkruante se emisari i Millosheviqit, Mirosllav Sholleviq, po përpiqet të nxisë pakicën serbe në Bosnjë kundër shumicës myslimane. Sholleviq, me banim në Fushë-Kosovë, ishte i pranishëm kur Sllobodan Millosheviqi gjatë vizitës në Kosovë më 1987 iu drejtua serbëve me fjalët: “Askush s’guxon t’ju rrahë”.

Kjo fjali u bë parullë e shumëcituar dhe i parapriu ashpërsimit të fushatës represive kundër shqiptarëve të Kosovës. Sholleviq drejtoi Lëvizjen Serbe të Rezistencës, një organizatë për mobilizimin e serbëve për projektin e Serbisë së Madhe.

Krahas tij qëndronin Kosta Bullatoviqi, një ultranacionalist nga një fshat i Istogut, dhe Bogdan Kecman, një boksier dhe kryetar i shoqatës “Bozhur”, të cilin Millosheviqi e bëri drejtor të “Jugopetrollit” në Kosovë. Me gjasë asnjë politikë në Ballkan nuk zhvillohet pa e kontrolluar rrjetin e pikave të karburantit. Kecman kërkonte dëbimin e 400 mijë shqiptarëve, të cilët paskëshin ardhur në Kosovë nga Shqipëria pas Luftës së Dytë Botërore. Në fund të vitit 1993, Kecman i tha gazetës amerikane “Washington Post” se duhet të dëbohen 120 mijë shqiptarë dhe familjet e tyre që kanë ardhur nga Shqipëria. Kecman ishte i zellshëm në përhapjen e gënjeshtrës se shqiptarët i kanë nga 20 fëmijë: “një bombë biologjike”. Gjuha e tij ishte e ngjashme me Memorandumin famëkeq të Akademisë Serbe të Shkencave.

Në mediat serbe Sholleviqi këto ditë u përshkrua si lider demokratik i serbëve të Kosovës, si luftëtar për të drejtat e njeriut e kështu me radhë. Me një varg të pavërtetash u tentua të skicohej portreti i tij për histori. Në varrimin e tij në Nish – Sholleviq u shpërngul në Serbi në vitet ‘90 – foli Momçillo Trajkoviq, njëri nga liderët e dikurshëm të serbëve të Kosovës. Fjalimi i tij përmban disa pjesë që oscilojnë mes marrëzisë dhe komedisë. Sholleviqi, sipas Trajkoviqit, paskësh qenë udhëheqës i lëvizjes së parë demokratike në Jugosllavinë e atëhershme të madhe.

“Në atë kohë në Poloninë komuniste nisi të vepronte lëvizja e madhe sindikale, shumë kohë para se të binte Muri i Berlinit”, tha Trajkoviq.

Sholleviqi, pra, në një galeri me Leh Valensën e Polonisë, Vacval Havelin e Çekosllovakisë dhe opozitarët antikomunistë të Gjermanisë Lindore. Po të jetonte edhe pak vjet, ndoshta Sholleviqi do të merrte “Nobelin” për paqe. Këtë nuk e tha Trajkoviqi, por me siguri nuk iu ka kujtuar, sepse politikanë si ai s’përtojnë t’i bien pianos së propagandës pandërprerë. Në mendësinë e tipave të tillë rrena është pjesë përbërëse e “së vërtetës serbe”, siç është edhe “e vërteta serbe” pjesë e rrenës.

Në raportimet e mediave serbe pa dashje u përvijua një informatë që tregon prapavijën e lëvizjes së Sholleviqit. Në lajmin e emituar nga televizioni shtetëror RTS thuhet se Sholleviqi ishte në grupin e serbëve të Kosovës që e njoftoi Nikolla Lubiçiqin, kryetar i Kryesisë së Serbisë, mbi “pozitën e rëndë” të serbëve në Kosovë. Lubiçiqi nuk ishte vetëm politikan, por edhe gjeneral i Armatës Popullore të Jugosllavisë dhe mes viteve 1967-1982 ministër i Mbrojtjes i Jugosllavisë. Pas mitingjeve të serbëve në Kosovë dhe gjetiu në Jugosllavi qëndronte elita intelektuale serbe. Në kujtimet e tij shkrimtari Dobrica Qosiq shkruan se më 1986 i takoi 15 serbë nga Kosova në kafehanen “Tërndafiloviq” në Beograd, ku iu dha instruksione si të vepronin në Kosovë dhe ua prezantoi përmbajtjen e një peticioni. “Emri im ilegal për serbët në Kosovë ka qenë ‘Deda’ (gjyshi)”, ka treguar Qosiq.

Nganjëherë Sholleviqi ishte pjesërisht i sinqertë. Për shembull kur tha: “Shoku Sllobë u krijua falë revoltës sonë, por pastaj e keqpërdori pakënaqësinë dhe fatkeqësinë e serbëve të Kosovës”. E vërteta e plotë është se Millosheviqi i keqpërdori serbët e Kosovës për interesat e tij të pushtetit dhe në fund gati secili serb i Kosovës e pagoi çmimin e marrëzive nacionaliste.

Sholleviq, i cili vdiq në moshën 75-vjeçare, nuk ishte me origjinë nga Kosova, por nga Kurshumlia. Në Kosovë ishte ardhacak. Me fushatat e tij agresive ai ua bëri shërbimin më të keq bashkëkombësve të tij në Kosovë. Ua krijoi iluzionin se serbët përjetësisht do të mund të sundonin me dhunë mbi shumicën shqiptare. Në një intervistë në vitin 2021, Sholleviq hapur e pranoi se kur më 1987 Millosheviqi erdhi në Shtëpinë e Kulturës në Fushë-Kosovë, ai, pra Sholleviqi, inskenoi sulmin kundër milicisë së atëhershme të Kosovës duke shkarkuar dy kamionë me gurë në një lëndinë. Atë natë në televizionin e Beogradit filloi lansimi i Millosheviqit si lider i ri i serbëve. Në serinë e famshme të BBC-së mbi “vdekjen e Jugosllavisë” Sholleviqi tregon se i kishte angazhuar “djemtë që dinë të rrihen” dhe kishte urdhëruar “të pajisen me çdo gjë që iu duhet”. Nuk ishte ndryshe as para disa muajsh në veri të Kosovës kur “populli duarbosh” (sipas propagandës serbe) plagosi me mjete të forta e me armë dhjetëra ushtarë të NATO-s.

Tomisallv Markoviq, një publicist i patrembur serb, shkroi pas vdekjes së Sholleviqit këto fjalë të rëndësishme: “Harresa e organizuar është feja jonë, ndërsa falsifikimi sistematik i së kaluarës është lutja jonë e mëngjesit”.

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Zbulohet 'streha e kokainës', gjenden 76 kg drogë, pakot dorëzoheshin me furgon! Mes 2 të arrestuarve 1 shqiptar

Itali/ Zbulohet 'streha e kokainës', gjenden 76 kg drogë, pakot dorëzoheshin me furgon! Mes 2 të arrestuarve 1 shqiptar