SHKUP, 19 qershor /ATSH/ - Kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski në një intervistë për gazetën austriake "Die Presse" ka deklaruar se qeveria e tij ka mandat për të qeverisur edhe gjatë tre viteve të ardhshme dhe se ai nuk mendon që të japë dorëheqje, sipas agjencisë maqedonase të lajmeve INA.
"Mandati ynë është katër vjeçar. Një tashmë mbaroi, kështu që ne kemi edhe tre vite tjera. Pavarësisht nga kjo, ne kemi rënë dakord për zgjedhje të reja, madje edhe deri në fund të korrikut, por opozita kërkon zgjedhje në prill të vitit të ardhshëm. Qytetarët duhet të zgjedhin se kush do të jetë në pushtet dhe kush në opozitë", deklaroi Gruevski.
I pyetur lidhur me rastin e Kumanovës, ai ka theksuar se ky rast nuk kishte të bënte me konflikt ndëretnik.
"Në Maqedoni, nuk ka potencial për konflikt etnik. Shqiptarët janë të integruar plotësisht, madje edhe si pjesë e qeverisë. Në incidentet në Kumanovë nuk kishte konflikte ndëretnike, atje u zhvillua një betejë prej 30 orësh mes forcave maqedonase të sigurisë dhe një grupi të armatosur", deklaroi Gruevski në intervistën për gazetën austriake./
/ec/