Në Shkup ka nisur protesta e organizuar nga partia më e madhe opozitare maqedonase LSDM , në kërkim të shkarkimit të kryeministrit Nikolla Gruevski dhe kabinetit të tij qeveritar.
Protesta po mbahet afër Qeverisë së Maqedonisë, përreth së cilës janë vendosur forcat  e rendit. Si asnjëherë më parë, në këtë protestë masive janë duke marrë pjesë të gjithë qytetarët e vendit, pa dallim përkatësie etnike, bëri të ditur agjencia maqedonase e lajmeve, INA.
Ata po mbajnë pankarta në duar, ku shkruan "Poshtë regjimi mafioz i Nikolla Gruevskit", "Lamtumirë Nikollë", "Liri dhe demokraci për Maqedoninë" etj.
Në këtë protestë po marrin pjesë edhe shumica e diplomatëve perëndimorë në vend dhe gazetarë të mediave prestigjioze botërore.
Protesta e sotme pason dorëheqjen së disa ministrave nga kabineti qeveritar dhe incidentit të armatosur në qytetin e Kumanovës.
Kryeministri Nikolla Gruevski nuk i është përgjigjur kërkesës së parashtruar për dorëheqje nga opozita. Ai thotë se nuk do të largohet sepse ka legjitimitetin e popullit.
Lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev ka inkurajuar qytetarët që të dalin në protestë dhe t'i shmangen provokimeve dhe presioneve të ndryshme.
Opozita maqedonase si organizatore e protestës ka angazhuar mbi 2 mijë të rinj për mbarëvajtjen dhe sigurinë e protestës. Por, pranë qeverisë dhe në disa pjesë tjera është vërejtur prani e shtuar policore.
Mijëra aktivistë dhe simpatizantë të partive opozitare maqedonase, përfaqësues dhe përkrahës të shoqërisë civile maqedonase dhe shqiptare, qytetarë të komuniteteve të ndryshme kanë paralajmëruar pjesëmarrjen në këtë protestë.
Drejtues lokal të opozitës theksuan më parë se kishin probleme dhe pengesa në transportimin e protestuesve drejt Shkupit. Ndërsa lideri i opozitës Zoran Zaev ka theksuar se nuk do tërhiqen nga protestat dhe do të qëndrojnë të ngujuar para Qeverisë, deri në dorëheqjen e kryeministrit Nikola Gruevski.
Forca të mëdha policore kanë shtuar masat e sigurisë për protestën, ndërsa edhe opozita maqedonase ka bërë të gjitha përgatitjet për të siguruar mbarëvajtjen e protestës.
Ndërkohë, partia në pushtet VMRO-DPMNE ka paralajmëruar një kundër- protestë të hënën, e cila ka në shënjestër opozitën dhe siç thuhet, tentimin e saj për të destabilizuar vendin.
Në rrjetet sociale, shqiptarët e Maqedonisë, janë duke bërë thirrje që sa më shumë të dalin sot në rrugët e Shkupit për të kërkuar rrëzimin e Qeverisë së Gruevskit.
Sot, bashkërisht, shqiptarët dhe maqedonët, për herë të parë, pritët të dalin në rrugë për një kauzë të njëjtë: rrëzimin nga pushteti të Kryeministrit autoritar, Nikola Gruevski, i cili dyshohet për shumë krime të kryera gjatë qëndrimit të tij në krye të Qeverisë./atsh/