SHKUP- Njëzet persona, nga radhët e protestuesve dhe policisë janë plagosur në përleshjet me policinë në protestat e sotme në Shkup kundër rasteve të montuara për shqiptarët dhe dënimet e fundit me burgim të përjetshëm. Ndërkaq, të palgosur raportohen edhe nga radhët e policisë. Protesta e cila filloi sot në mesditë kundër dënimit të 6 të arrestuarve në rastin “Monstra” ka dalë nga kontrolli, duke shkaktuar kaos nëpër rrugët e Shkupit dhe duke lënë pasoja të mëdha materiale nëpër rrugët e kryeqytetit.

Gazetari jonë Zerijeta Jajaga njofton se policia ka përdorur edhe gaz lotësjellësh për shpërndarjen e protestuesve dhe janë arrestuar 6 prej tyre, ndërsa disa të tjerë kanë ngelur të lënduar. Ndërkaq disa objekte kanë mbetur të demoluara kryesisht pallati i gjykatave dhe disa lokale përreth bulevardit Goce Dellçev. Njësitet policore kanë arritur të largojnë protestuesit nga bulevardi, duke i drejtuar ata drejt Çairit por situata mbetet edhe më tej e tensionuar, duke u regjistruar edhe më tej përleshje mes protestuesve dhe policisë.

Sipas 'INA", situata është agravuar para gjykatës themelore Shkupi 1, kur protestuesit kanë gjuajtur disa gurë drejt gjykatës dhe se me këtë është nxitur edhe reagimi i njësiteve speciale policore.

Protesta ka vijuar edhe më tutje dhe se policia ka përdorur gaz lotsjellës, shok bomba dhe topa me ujë kundër demonstruesve që janë tubuar para Bit Pazarit në Shkup.
Përleshja e policisë me protestuesit vijoi deri në orët e mbasdites, dhe mësohet se janë djegur disa kontejnerë, ndërsa protestuesit u shpërndanë edhe në pjesë tjera të rrugëve.

Protesta nisi para faljes së namazit të xhumasë në Shkup, kur mbi 5 mijë qytetarë u drejtuan drejt gjykatës, për të shprehur revoltën lidhur me dënimin me burgim të përjetshëm të gjashtë shqiptarëve lidhur me vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit, që kishte ndodhur më 12 prill të 2012.

Protesta nisi para Xhamisë së Jahja Pashës në Shkup, duke vazhduar me marshin protestues me thirrjet ““Ne nuk jemi teroristë, duam drejtësi”, “Jankullovska teroriste”, “Mijallkovska drzhava”, “UÇK”, “Stop Rasteve të Montuara” etj.
foto shkup
(Në foto: Gjatë protestave në Maqedoni) Foto të tjera

Policia: 20 të lënduar dhe 6 të arrestuar
Ministria e Punëve të Brendshme në variantin e saj zyrtarë thotë se protesta ka agravuar nga një grup i madh protestuesish të cilët fillimisht u konfrontuan me policinë, kurse gjatë goditjeve me gurë kanë dëmtuar fasadën e gjykatës. Zëdhënësi i policisë Ivo Kotevski në një konferencë për shtyp tha se gjatë përleshjes ka të lënduar gjithsej 20 policë dhe protestues. “6 persona nga protestuesit janë arrestuar, njëri prej të cilëve është ankuar për lëndime dhe është dërguar në spital. Gjithashtu është dëmtuar ekspozitura e ‘Komercijallna Bankës’, disa automjete dhe një dyqan. Gjatë ditëve në vijim me ndihmën e filmimeve tona dhe me ndihmën e filmimeve të mediave do të vazhdojmë identifikimin e atyre që morën pjesë në protesta dhe u rrahën me policinë”, tha Kotevski.

Ai ka theksuar se në vazhdimësi po ndiqen aktivitetet e grupeve të cilat e iniciuan protestën, ndërsa theksoi se protesta nuk ka qenë e lajmëruar në polici dhe nuk dihet se kush është organizatori.

Situata qetësohet, tërhiqet policia speciale
Rreth orës 16:45 minuta filloi tërheqja e njësiteve speciale të policisë pasi shpërndanë të gjitha turmat e protestuesve. Në këto çaste nëpër rrugët e Shkupit vërehen vetëm disa njësi të vogla policore të cilat sigurojnë rrugët kryesore dhe objektet shtetërore. Për momentin situata është e qetë, ndërsa ekipet e ndërmarrjes komunale kanë dalë për të pastruar mbetjet e objekteve të dëmtuara.

Disa protestues në spital, dhjetëra të arrestuar
Disa protestues të lënduar fillimisht janë dërguar në qendrën ambulatore në Bit Pazar, por për shkak të zhvillimeve menjëherë me vetura private janë transferuar në spitalin e qytetit. Ndërkaq, vijon përplasja mes policisë dhe protestuesve përgjatë tregut të Bit Pazarit. Policia gjatë ndërhyrjes arrestoi disa nga protestuesit, ndërsa të tjerët u zmbrapsën. Gjatë përndjekjes së demonstruesve, policia përdori edhe autobotet me ujë, ndërsa vazhdonin edhe detonimet e shok bombave dhe bombave lotsjellëse. 

Protesta po mbahet në shenjë pakënaqësie ndaj dënimit me burg të përjetshëm javën e kaluar të gjashtë shqiptarëve për rastin “Monstra”.

Maqedoni, protesta kundër rastit "Monstra", përplasje me policinë
Mijëra qytetarë të grumbulluar para Qendrës Tregtare Çairçanja, filluan protestën e paralajmëruar kundër rastit ‘Monstra’. Qytetarët të organizuar nëpërmjet rrjeteve sociale përmes protestës në fjalë shprehin paknaqësin e tyre rreth rastit ‘Monstra’, për të cilin vlerësojnë se është rasti i montuar. Në krye të protestës qëndrojnë familjarët e të dënuarve. 

Protestuesit brohorasin 'Duam drejtësi'. Më 30 qershor Gjykata themelore shqiptoi dënimin me burg të përjetshëm për 6 të akuzuarit në rastin ‘Monstra’. Protesta e cila filloi nga Çairçanja, vazhdoi në drejtim të Bit Pazarit dhe u ndal para gjykatës themelore. Para gjykatës disa nga protestuesit filluan të gjuajnë me gurë në drejtim të gjykatës. Kjo shkaktoi ndërhyrjen e policisë e cila me shok bomba dhe me gaz lotësjellës shpërndau protestuesit.

Protestuesit e acaruar me thirrje kundër montimeve të rasteve nga Gjyktata e Shkupit, po gjuajnë me gurë ndërtesën e gjykatës në Shkup. Mijëra protestues kërkojnë drejtësi për shqiptarët.

Protesta në Shkup kundër dënimit me burg të përjetshëm për vrasjen e pesëfishtë të Smilkovcit, u njoftua në rrjetet sociale, ndërsa organizatorë të saj bëhet e ditur se janë aktivistë për të drejtat e njeriut me mbështetjen edhe të familjarëve të gjashtë shqiptarëve të dënuar me burg të përjetshëm.

“Protesta thirret kundër rasteve të montuara, padrejtësisë, vrasjeve të pafajshme, urrejtjes etnike dhe fetare. O ju njerëz nuk është vetëm protestë, por është detyrim kombëtar. Nëse nuk ndërhyjmë sot kur padrejtësia arriti kulmin, atëherë mos paçin gjumë sytë e frikacakëve”, thuhej në apelin për protestë.

protestat shkup

protesta shkup

Gjykata Themelore Shkupi 1 shqiptoi dënimet me burgim të përjetshëm për të akuzuarit për vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit.
Vetëm njëri nga të akuzuarit Rami Sejdini është shpallur i pafajshëm.

protesta maqedoni

Procesi gjyqësor ka filluar më 20 dhjetor 2012, pas hetimeve disamujore. Të dënuarit me burgim të përjetshëm janë: Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviç, Fejzi Aziri, Haki Haziri dhe Sami Luta. Por dy nga të dënuarit Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq janë në burg në Prishtinë, ku janë të dënuar për armë pa leje dhe se procedura për esktradimin e tyre është në vijim e sipër.

protesta shkup monstra

Redaksia Online
(e.s/g.f/shqiptarja.com)