Shkupi e Prishtina, beteja me
prishësit e standardit të shqipes

Shkupi e Prishtina, beteja me <br />prishësit e standardit të shqipes
Gjuhëtari nga Shkupi Ismet Osmani thotë se u shqetësua kur dëgjoi për “debatet e nxehta” të gjuhëtarëve të Prishtinës, që pasuan prej vendimeve të mbledhjes sekrete të akademikëve në Tiranë për ndryshimet gjuhësore. Pasi thekson se ndikimi nga Tirana është vijuar edhe në Prishtinë e në Shkup për ndryshimet gjuhësore, Osmani falënderon gazetën “Shqiptarja.com”, e cila për debatin për ndryshimet gjuhësore merr edhe mendimin e gjuhëtarëve nga diaspora. Ai shton se ndikimet për këto ndryshime të padëshiruara vijnë më tepër prej Tiranës, por kontestimi për të pasur ndryshime nuk ka asnjë bazë shkencore. Ky lloj kontestimi sipas tij vjen nga rënia e ndjeshmërisë për gjuhën, e disiplinës dhe përgjegjësisë në institucionet arsimore, institucionet publike dhe në media e kudo. Largimi nga standardi, më emër gjoja lirisë së dialekteve sipas tij ka sjellë në një shfaqje vulgare të gjuhës së mediave, teatrove, filmit, letërsisë, por edhe gjuhës së përditshme. Osmani nuk anashkalon faktin që me indiferentizmin ndaj standardit të Shqipes po bëhet depërtimi madh i fjalëve të huaja, sidomos i anglicizmave në gjuhën shqipe. Sipas tij, këto pasoja dhe vendime fantazmagorike vijnë se në gjithë hapësirat mbarëshqiptare nga Tirana deri në Shkup e Kosovë qeveritë nuk japin ndihmën e gjuhëtarëve për hulumtime në fushën e gjuhës. Gjithashtu ai pohon se këto pasoja vinë edhe nga mungesa e një ligji për përdorimin e gjuhës standarde në institucionet publike etj.
Edhe në Prishtinë si në Tiranë ka nisur beteja e debateve për ndryshimet e satndartit, ku më e kontestuar është shkronja ë. Sipas burimeve tona nga Tirana dhe Akademia e Prishtinës kundërshtarët e ndryshimeve atje kanë qenë shumë të shqetësuar nga presionet brenda komisionit. Megjithëse anëtarët nuk shprehen dot për median, derisa të merret një vendim përfundimtar për ndryshimet ose jo ndaj normës së drejtshkrimit të ‘73-it, shqetësimi i tyre nuk mbeti pa u vënë re. Ata shprehen se nuk do të ngurojnë pas këtyre debateve të ngrenë zërin për gjuhën shqipe, “pavarësisht çmimit të pritshëm”. Në shoqërinë shqiptare gjithmonë paguhet çmim për mendimin kundër dhe për të vërtetën. Ende disa anëtarë të Keshillit po bëjnë betejën brenda tij deri ne momentin kur prononcimet për median të jenë të mundura. Burimet tona njoftojnë se aty debatet janë ende në fillim të rrugës. Do të vijnë shpejt tema “jo më të nxehta, po të vala”, thonë këto burime, ndërsa ata që janë jashtë ende nuk dinë asgjë se çfarë zien në këto debate”. Lista e ndryshimeve gjuhësore e përcjellë për aprovime nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë në Akademinë e Kosovës, nuk është pranuar e nuk do të pranohet lehtë edhe nga anëtarë brenda komisionit të Prishtinës. Megjithatë përpjekjet të shumta po bëhen nga një grup i vogël me prirje politike dhe lokaliste pro ndryshimeve. Bëhet fjalë për ndryshimet që do të bëhen për drejtshkrimi i zanores “ë” të patheksuar në shqipen standarde, që pason me heqjen e saj. Këto ndryshime kanë ndezur edhe debatin për futjen e paskajores gege.

Profesor Ismeti, e dini se cili ishte komisioni qe ka vendosur për ndryshimet gjuhësore. Cili ka qenë qëndrimi juaj për ndryshimin e ë-së në Drejtshkrimin 1973?
-Po, e di komisionin ndërakademik, i njoh emrat që e përbëjnë këtë komision. Po dëgjojmë përmes mjeteve të informacionit se ky komision ka marrë një vendim lidhur me reformën e drejtshkrimit, e cila prek sidomos shkrimin e zanores ë dhe do të bëhen ndryshime të tjera, të cilat nuk i dimë tashmë, sepse një dokument i tillë akoma nuk është bërë publik edhe për ne. Për mendimin tim, mosshkrimi i ë-së fundore, do të krijonte një problem me pasoja që do të prekte rrafshin fonetik dhe morfologjik të gjuhës shqipe.

Problemet e Drejtshkrimit tha profesor Rami Ramushaj janë lënë në dorë të atyre qe nuk e kanë tagrin të vendosin. Po ju si mendoni?
-Po, plotësisht pajtohem me profesor Ramiun, sepse kjo është një punë që u takon specialistëve dhe intelektualëve publikë, sepse gjuha standarde shqipe, ashtu si dhe gjuhë të tjera standarde, nuk mund të jetë krijim subjektiv vetëm i disa gjuhëtarëve. Ndërhyrjet e nevojshme në kodet e gjuhës, po qe se do të bëhen, nuk mund të bëhen nga grupime të caktuara. Duhet një bashkëpunim i gjithë faktorëve relevantë, specialistë të gjuhës, intelektual publikë të të gjitha trojeve kombëtare shqiptare ku do të gjitha gjërat do të shpaloseshin në një konferencë mbarëkombëtare.

Pse komisioni nuk i ka bere publike vendimet e një mbledhjeje treditore ne një deklarate për shtyp?
-Nuk dua të ndërhyj në punën e këtij komisioni, megjithatë mendoj se duhet pritur të shpallet ky dokument dhe të shikojmë se për çfarë bëhet fjalë.

A mund të bëhet ndryshimi i Drejtshkrimit me vota?
-Çdo përpjekje politizimi mendoj se nuk ka fitim, ka vetëm humbje! Zhvillimin dhe pasurimin e gjuhës e më së miri e bëjnë lëvruesit, shkrimtarët, gazetarët, veprimtarët e kulturës me debate të hapura.

Cilat janë reagimet tuaja rreth debateve te fundit për drejtshkrimin, dhe si kane degraduar çështjet kohet e fundit?
-Ndryshimet nuk duhet bërë se më pëlqejnë mua apo dikujt tjetër. Të gjithë ata që mendojnë se duhet bërë reforma në drejtshkrim, të japin ndonjë shembull se si do të duket ai “drejtshkrim i reformuar”, që të paktën të jepen mendime se mund, ose nuk mund të bëhet një ndryshim i tillë.

(dhh/im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja