“Qeverisja e hapur” ishte tema e tryezës së radhës publike të zhvilluar në Kuvend për konsultimin e Dokumentit Analitik, të përgatitur nga ekspertët e atashuar pranë Komisionit të Posaçëm për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit.
Nën moderimin e Prof. Dr. Eralda Methasani, pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës u diskutuan gjetjet dhe sugjerimet e ekspertëve lidhur me problematikat që shfaq llogaridhënia e institucioneve të pushtetit qendror dhe vendor, si dhe u propozuan një sërë masash konkrete të nevojshme për rritjen e transparencës, si një nga elementët kryesorë që ndikon në rritjen e besimit të qytetarëve kundrejt administratës publike, por dhe si mekanizëm për të forcuar përgjegjshmërinë, llogaridhënien e organeve publike.
Në takim morën pjesë dhe dikskutuan përfaqësues nga institucionet shtetërore, agjencitë ligjzbatuese, shoqëria civile, organizatat e biznesit, grupet e interesit, si dhe disa anëtarë të Komisionit të Posaçëm. Të pranishëm ishin edhe: z.Luigi Mattirolo, Zëvendësambasador i Italisë në Tiranë, z.Taulant Balla, Ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, znj. Majlinda Dhuka, Ministër Shteti dhe Kryengociatorja me BE, znj. Adea Pirdeni, Ministër Shteti për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj.Delina Ibrahimaj, Ministër Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit. Në tryezë morrën pjesë edhe ekspertë dhe përfaqësues të huaj të atashuar pranë Komisionit nga: Delegacioni i BE, Zyra e Këshillit të Europës, OSBE, Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Zvicrës, Greqisë, si dhe ekspertë të programeve të asistencës të BE,etj
TRANSPARENCA NË ADMINISTRATËN PUBLIKE
Në pjesën e parë të takimi, Doc. Klesta Hysi, pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranë, bëri prezantimin e gjetjeve kryesore të analizës së grupit të ekspertëve lidhur me transparencën e administratës publike.
Ekspertët kanë vlerësuar se parashikimet kushtetuese dhe ligji për të drejtën e informimit dhe ndryshimet e tij në vitin 2023, por dhe legjislacioni për procesin e konsultimit publik janë në përputhje me standardet europiane.
Pavarësisht arritjeve të konsiderueshme, ekspertët vërejnë disa problematika lidhur me mungesën e ndërgjegjësimit nga ana e administratës për të publikuar në mënyrë proaktive informacionin me karakter publik – programet e transparencës; vështirësi në realizimin e procesit të njoftimit dhe konsultimit publik nga ana e Këshillave Bashkiak; probleme me transparencën e qeverisjes vendore, pasi për vitin 2023 rezulton se vetëm 21 njësi të vetëqeverisjes vendore janë klasifikuar me transparencë proaktive të lartë.
Të tjera problematika të evidentuara nga ekspertët janë: mungesa e politikave të transparencës të dedikuara grupeve të margjinalizuara dhe personave me aftësi të kufizuar; paqartësi nga ana e autoriteteve publike lidhur me konceptin e konfidencialitetit të kontratave publike, duke kufizuar informacionin jo në përputhje me parashikimet e ligjit; si dhe duke iu referuar rekomandimeve të Avokatit të Popullit del në pah mungesa e transparencës nga institucionet që nuk iu përgjigjen kërkesave të tij për shpjegime, duke penguar kështu hetimin administrativ.
Lidhur me procesin e konsultimit publik ekspertët vlerësojnë se ka problematika lidhur me përqindjen e ulët të akteve ligjore, që i nënshtrohen konsultimeve publike online, mungesën e efektivitetit të lartë të mekanizmave të brendshëm të ankesave për konsultimet publike, si dhe mungesa në disa raste e konsultimit për aktet nënligjore.
Disa nga rekomandimet e ekspertëve janë: amendimi i ligjit për konsultimin publik, me synimin për të zgjeruar kategoritë e akteve që i nënshtrohen procesit të konsultimit; garantimi i qëndrueshmërisë së koordinatorëve për njoftimin dhe konsultimin publik; forcimi i rolit të koordinatorëve të informimit; forcim i kapaciteteve të institucioneve të pavarura si Avokati i Popullit dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit si organe kyçe për monitorimin e shkeljeve të të drejtave dhe sigurimin e transparencës në institucionet publike, etj.
Lidhur me rolin e Kuvendit në këtë proces, ekspertët sugjeruan një rritje të ndjeshmërisë në raportimet vjetore të organeve të pavarura dhe të organeve të tjera që raportojnë pranë tij, duke i kushtuar një vëmendje më të madhe transparencës dhe llogaridhënies; si dhe organizimin e dëgjesave të dedikuara me organizatat e shoqërisë civile dhe përfaqësues të medias për të tërhequr opinionin e tyre për çështje të transparencës në administratën publike, dhe problematikat që ata hasin në lidhje me zbatimin e ligjit për informimin dhe konsultimin e akteve.
Ekspertët sugjeruan reformimin e organeve e qeverisjes vendore, në drejtim të rritjes së transparencës dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje; organizimin e një forum/ platforme dialogu periodike: Kuvend – Ekzekutiv – Qeverisje Vendore – organeve të pavarura për sfidat e procesit të integrimit dhe detyrimet që rrjedhin për transparencën, pjesëmarrjen e qytetarëve dhe llogaridhënien; rritja e kapaciteteve të administratës publike për zbatimin më të mirë të legjislacionit duhet të ecë paralelisht me edukimin ligjor të publikut në fushën e transparencës, etj.
Nga ana e ekspertëve vlerësohet e domosdoshme që rregullimi i procesit të vlerësimit të ndikimit (RIAs) të jetë në nivelin e një ligji, me qëllim që procesi të zbatohet edhe në rastet e hartimit të projektligjeve nga aktorë të ndryshëm nga Këshilli i Ministrave
LLOGARIDHËNIA E INSTITUCIONEVE TË PUSHTETIT QËNDROR DHE VENDOR
Në pjesën e dytë, Prof. Dr. Migena Leskoviku, Shefe e Departamentit të Legjislacionit dhe Politikës së BE-së në Institutin e Studimeve Evropiane, Universiteti i Tiranës, bëri një përmbledhje të gjetjeve kryesore të analizës lidhur me llogaridhënien e institucioneve të pushtetit qendror dhe vendor. Bazuar edhe në vlerësimet e Komisionit Europian, në Raportin Screening 2023 dhe Raportin e Progresit 2023, ekspertët vlerësojnë masat e marra në Strategjinë Kombëtare për Zhvillimin dhe Integrimin Evropian 2022-2030; Planin Kombëtar 2023-2025 për Integrimin Evropian; Reformën në Administratën Publike; krijimi i posteve në kabineti qeveritar për pushtetin vendor, Administratën Publike dhe Antikorrupsionin., etj.
Ekspertët kanë evidentuar se në legjislacion ekziston një tipologji e organeve administrative, por vlera praktike e saj është e diskutueshme. Dallimi midis dy llojeve të institucioneve – institucioneve të varësisë dhe agjencive autonome, është i paqartë dhe nuk ndiqet gjithnjë në praktikë. Për të funksionuar llogaridhënia dhe eficenca administrative, ekspertët sugjerojnë rishikimin e kuadrit rregullator dhe strukturor të një sërë agjencive që veprojnë aktualisht në kuadër të një autonomie të caktuar me varësi nga qeveria qendrore dhe ministri të linjës, etj
Në lidhje me qeverisjen vendore, bazuar dhe në raportet e ndryshme monitoruese, ekspertët vënë theksin ne adresimin e disa problematikave si: ulja e hendekut të pagave midis niveleve të qeverisjes qendrore dhe vendore; mungesa e burimeve të mjaftueshme financiare dhe kapacitetet administrative për të ushtruar me efektivitet kompetenca më të mëdha në politikëbërje si dhe për të kryer të gjitha përgjegjësitë e tyre të transferuara në mënyrë plotësisht të kënaqshme, etj.
Ekspertët vlerësojnë se autonomia fiskale e njësive të qeverisjes vendore mbetet në rrezik, pasi pjesa më e madhe e buxhetit të tyre varet nga transfertat kombëtare dhe po ashtu, ofrimi i shërbimeve publike cilësore në nivel lokal mbetet i kufizuar, si dhe vlerësojnë se reforma administrative territoriale mbetet për t'u konsoliduar më tej, si pjesë e agjendës më të gjerë të decentralizimit.
Rekomandimet e ekspertëve në lidhje me pushtetin qendror dhe vendor dhe drejtimet e ndërhyrjeve përfshijnë disa aspekte me rëndësi si: përfshirja e aktorëve të jashtëm dhe organizatave joqeveritare në monitorimin e Reformës në Administratën Publike, koordinim sistematik midis strukturave të ndryshme të ngarkuara për zbatimin dhe monitorimin e reformave; Ministritë dhe institucionet përgjegjëse duhet të sigurojnë që të gjitha raportet e kërkuara monitoruese të hartohen dhe publikohen në kohë, plotësimi i boshllëqeve që ekzistojnë në kornizat e treguesve të performances nga Institucionet e përfshira në Kornizën Strategjike të Reformës së Administratës Publike , etj.
Lidhur me rolin e Kuvendit, ekspertët rekomandojnë rishikimin e pozicionimit institucional të autoriteteve rregullatore që raportojnë aktualisht, forcim i përpjekjeve në mbështetjen e aktiviteteve të institucioneve publike të pavarura me rol mbikëqyrës si: Avokati i Popullit, KLSH, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, pasi shkalla e zbatimit të rekomandimeve të këtyre institucioneve mbetet e dobët.
Në lidhje me legjislacionin, ekspertët kanë bërë disa rekomandime që lidhen me: përmirësimin e kuadri rregullator të shërbimit civil; amendimin e ligjit nr. 90/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, si dhe hartimi i legjislacionit dytësor deri në qershor 2025, siç është përcaktuar në Udhërrëfyesin Reformës në Administratën Publike, përmirësim të kuadrit ligjor për funksionet e njësive të qeverisjes vendore, etj.
DISKUTIMET
Gjatë diskutimeve, ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj.Adea Pirdeni nënvizoi se analiza dhe rekomandime e prezantuara nga grupi i ekspertëve përputhen me zotimet që Shqipëria ka marrë në kuadër të procesit të negociatave, udhërrëfyesit për reformat në administratën publike, si dhe udhërrëfyesit për shtetin e së drejtës, si dhe solli në vëmendje disa nga masat që janë marrë deri tani në kuadër të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve të administratës publike.
Z.Gerti Shella, nga Qendra për Çështje të Informimit Publik vlerësoi nevojën për rishikimin e legjislacionit për konsultimin publik për të shmangur konsultimet formale, por dhe garantuar funskionimin e platformës së konsultimit vendor,etj. Një tjetër sugjerim prej tij ishte miratimi i legjislacionit për referendumet.
Znj.Juliana Hoxha nga Partners Albania sugjeroi ndryshimet në legjislacionin për të mundësuar referendumet lokale, zgjerimi i optikës së procesit të konsultimeve publike për përfshirjen në proces edhe të vendimeve të qeverisë, etj.
Z.Ermal Elezi, nga Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, vlerësoi punën e bërë për përmirësimin e nivelit të transparencës nga Njësitë e Qeverisjes Vendore, si dhe theksoi nevojën e koordinimit të sistemeve brenda një domain.
Z.Gjergji Vurmo nga IDM, theksoi nevojën e përmirësimit të draftimit të projektligjeve sipas standardeve dhe praktikave më të mira, përfshirjen në procesin e konsultimit publik të VKM, por dhe realizimin e konsultimeve në nivel vendor pasi janë vendimmarrje që kanë impakt të drejtpërdrejtë tek qytetarët, etj.
Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja për Integrimin në Bashkimin Evropian, znj.Majlinda Dhuka vlerësoi se në momentin ku ndodhet vendi në procesin e integrimi, nevojitet që krahas konsultimit për aktet nënligjore sipas BE-së, është e nevojshme edhe vlerësimi rregullator i politikave, përpara marrjes së nismave ligjore ose politikbërëse. Znj.Dhuka vlerësoi arritjet e bëra për gjithëpërfshirjen në procesin e konsultimit publik, si dhe theksoi nevojën për informim më të gjerë i qytetarëve mbi BE-në.
Znj.Jolanda Trebicka, Drejtuese e Projektit "Bashkitë për në Evropë"sugjeroi ngritjen e mekanzimave dhe sistemeve të duhura për të garantuar transperencën në dokumentacionin publik, sidomos në Shoqëritë Aksionere, etj.
Znj.Aranita Brahja, nga “OPEN DATA” gjatë diskutimeve solli nevojën e rishikimit apo përmirësimit të bazës ligjore që rregullon elemente të transparencës për regjistrat publikë, nevojën e shtimit të projektligjeve që i nënshtrohen procesit të konsultimit publik, përmirësim i sistemit e-legjislation nga Kuvendi, etj.
Z.Geron Kmaberi nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes theksoi nevojën e garantimit të transparencës ligjore, institucionale dhe financiare të gjithë institucioneve, çka do të ndikonte në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, etj.
Në përfundim të diskutimeve, anëtarja e Komisionit të Posaçëm, znj.Milva Ekonomi pasi falenderoi ekspertët për punën e bërë deri më tani, ndau me pjesëmarrësit hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren për tryezat me qytetarët dhe hartimin e planit të veprimit për adresimin e të gjitha rekomandimeve dhe sugjerimeve të ardhura nga ky proces i hartuar nga ekspertët e komisionit të posaçëm.
Përmbledhjen ekzekutive të analizës së ekspertëve mbi çështjet e llogaridhënies së institucioneve të pushtetit qendror dhe vendor, si dhe transparencës, i gjeni në faqen web të Komisionit të Posaçëm www.masl.al