TIRANË- Dy muaj pasi kishte humbur çdo kontakt me familje, Ardit Kamberaj "jep shenja jete". Pasi mësoi nga shokët se familja e tij kishte nisur ta kërkonte në "Pa Gjurmë", Arditi mori në telefon nënën e tij dhe i dha lajmin që ishin lutur çdo ditë, për dy muaj rresht, ai është mirë. Në studion e "Pa Gjurmë", nëna e tij Drita tha se është mjaft e gëzuar që kishte mundur të dëgjonte zërin e djalit, pas humbjes së kontakteve me të nga Gjermania.
"Më datën 21 mori djali në 2 të drekës. Hap telefonin dhe u gëzova shumë. Më tha: Mama, unë jam mirë, pse duhet të shqetësohesh ? Nga ai moment foli dhe me të atin dhe me vëllanë. U kënaqa që djali im ishte mirë. Më tha se jetonte tek i njëjti vend. Nuk kisha lekë më tha për telefon, kam qenë pak hollshëm, prandaj nuk ju kam marrë. Më tha do të marr përsëri vetë. Akoma ishte i papunë. Nuk më tha me kë jetonte. Ndoshta mund të ketë shkuar edhe në Zvicër, por nuk më tha mua që të mos bëhesha merak. Më tha mos u bëj merak se jam mirë. Tani për tani nuk të flas dot shumë, më tha. Një telefonatë në pak minuta ishte"-rrëfeu nëna.
Familja denoncoi për herë të parë zhdukjen e të birit, djalit nga Patosi në emisionin "Pa Gjurmë" pak ditë më parë. Shokët e kishin njoftuar Arditin se kërkohej në emision dhe kjo ka sjellë reagimin e të riut, i cili nuk ka nguruar të marrë në telefon familjen për t'i pohuar që është mirë.
Ardit Kamberaj, 20-vjeçari nga Patosi u nis për herë të parë drejt Gjermanisë më 7 dhjetor 2019. U vendos konkretisht në Groping, Gjermani dhe deri më 9 janar 2020 në orën 21:00 ka patur kontakte të rregullta me familjen e tij dhe më pas telefoni i tij rezulton i fikur. U largua pa dijeni të familjes, ato u informuan vetëm mbasi Arditi i lajmëroi se kishte mbërritur në destinacion. Atje ai do të punonte në kuzhinë për të siguruar të ardhura pasi vijonte studimet, student i vitit të parë për inxhinieri.
Komente











