Shoqata e Gjyqtarëve dhe ajo e Prokurorëve në Shqipëri kanë reaguar pas referendumit në Itali, duke vënë theksin tek rëndësia e një sistemi drejtësie të pavarur dhe funksional.
Në një deklaratë të përbashkët, dy shoqatat bëjnë të ditur se e kanë ndjekur me interes procesin për ndryshimet kushtetuese në sistemin e drejtësisë në Itali, ndërsa vlerësojnë rolin e Shoqatës së Magjistratëve italianë në nxitjen e debatit publik.
"Rezultati i këtij referendumi tregoi një mbështetje të qartë për pushtetin garantist të shtetit të së drejtës, i cili sigurohet vetëm nga një sistem drejtësie që zotëron hapësirën e nevojshme për të funksionuar në mënyrë efikase dhe të pavarur" thuhet në deklaratë.
Shoqatat shqiptare nënvizojnë se edhe në vendin tonë mbetet thelbësore rritja e besimit të publikut te institucionet e drejtësisë, ndërsa theksojnë se sistemi i drejtësisë është “oksigjeni” i lirive themelore.
"Edhe në vendin tonë, është detyrë e organeve të sistemit të drejtësisë dhe e çdo magjistrati në veçanti për të rritur besimin e qytetarëve, sikurse edhe përgjegjësia e qytetarëve për t’i ofruar besimin e duhur institucioneve të dhënies së drejtësisë, të cilat ekzistojnë për t’u shërbyer atyre, duke mbrojtur të drejtat dhe liritë kushtetuese nga çdo ekses prej pushteteve të tjera. Sistemi i drejtësisë, me gjithë problematikat që mund të ngrihen në drejtim të tij, përbën oksigjenin e lirive themelore të qytetarëve. Procesi referendar në Itali dëshmoi edhe një herë se pavarësia e sistemit të drejtësisë në tërësi mbetet gur themeli i çdo sistemi demokratik funksional" thuhet në deklaratë.
Referendumi në Itali përfundoi me refuzimin e ndryshimeve në sistemin e drejtësisë. Me një pjesëmarrje rreth 59% në rang kombëtar, shumica e votuesve , rreth 55%, votuan kundër ndryshimit të 7 neneve të Kushtetutës që lidhen me karrierën e magjistratëve dhe institucionet e drejtësisë. Nga 20 rajone në total, vetëm 3 mbështetën këto ndryshime.

Komente













Për çfarë Drejtësie flasin këtë hajdutër me uniformë!7Për çfarë themelit të Demokracis kur kanë me mijëra dosje rrinë stok për pa ndershmërinë e tyre banditëve me uniform.
Përgjigju