Shoqata e Hidrokarbureve:
Çmimi i naftës peng i Bodes

Shoqata e Hidrokarbureve: <br />Çmimi i naftës peng i Bodes
Çmimet e karburanteve në pikat e tregtimit me pakicë janë rritur me të paktën 5 lekë/litër në disa nga rrjetet e njohura të shitjes. Në një intervistë për Shqiptarja.com, përfaqësuesi i Shoqatës së Shoqërive Hidrokarbure Bardhi Sejdarasi ka shpjeguar se një nga arsyet lidhet edhe me një urdhëresë të ministrit Ridvan Bode që pengon ndryshimin e çmimit në ulje, pasi ka hyrë njëherë në Doganë.

Zoti Sejdarasi, si shpjegohet rritja e çmimit të tregtimit me pakicë në pikat e karburantit, ndërkohë që pritej ulje, duke iu referuar çmimit të tregut ndërkombëtar, ku një fuçi naftë po shitet me 87 dollarë, nga afro 100 USD që ishte pak kohë më parë?
Çmimi ndërkombëtar është një nga komponentët e krijimit të çmimit në vend. Në fakt, ka patur ulje nga koha kur nafta jashtë ka patur kuota më të larta. Por, këtu ndikojnë edhe fenomene të brendshme. Megjithatë, edhe dollari aktualisht është më i shtrenjtë dhe tregtia e grosistëve shqiptarë bëhet në valutën amerikane. Të njejtën sasi nafte, grosisti shqiptar e blen me më shumë lekë, që i thyen në dollarë, por në treg e shet me lekë sërish.

Për çfarë lëvizjesh në tregun e brendshëm e keni fjalën, që kanë ndikuar në këtë rritje çmimi?
Le ta nisim nga masat administrative të qeverisë. Ka një urdhër të ministrit Bode, sipas të cilit, pasi ka hyrë një ngarkesë me nënprodukte të naftës në vend dhe është regjistruar me një çmim të caktuar, edhe po të dojë t'ia ulë më pas çmimin tregtari, një gjë e tillë bëhet e pamundur. Kontrolli financiar do të konstatonte një evazion dhe do të rrezikohej sekuestro e mallit, sipas këtij akti, që është kundërshtuar vazhdimisht nga biznesi dhe që i ve fre lëvizjes së lirë të mallit në treg. Financat shqiptare janë mësuar të punojnë, për lehtësi llogaritjesh, me referenca fikse, që nuk ndodh në vende të tjera të botës.
Mos të harrojmë, pastaj, se nga fillimi i vitit çmimit të hidrokarbureve në treg i është bërë një shtesë prej 8.4 lekësh për litër, duke pasqyruar heqjen e doganave për makinat dhe ndryshimin e pagesës së taksave vjetore të automjeteve.

Ka faktorë të tjerë që ndikojnë në mbajtjen e çmimit të lartë, edhe duke e krahasuar me vende të tjera? A nuk jemi një vend që naftën edhe e përpunojmë në vend?
Prodhimi i derivateve të naftës në vend është një faktor që ndikon pozitivisht në treg. Kostoja e tyre është më e ulët dhe ajo ndikon në gjithë tregun, edhe mbi mallin e importuar. Por, faktikisht ka disa muaj që e gjithë sasia e nënprodukteve të naftës që nevojitet, vetëm importohet, pasi prodhim në vend nuk ka.

Sektori i naftës është aktualisht në qendër të vëmendjes, me privatizime, investime, rritje të prodhimit. Nuk kanë ndikuar këto në lehtësimin e çmimit për qytetarin?
Për këtë Shoqata ka kërkuar vazhdimisht lehtësimin e masave fiskale, por qeveria ka bërë vesh të shurdhër. Situata tani është e tillë, që ka vetëm tri kompani grosiste që furnizojnë tregun, ndërkohë që shumë të tjera që operonin më parë kanë falimentuar, janë larguar nga vendi apo janë në procese arbitrazhi me qeverinë.

(gk/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Halaand humb shënjestrën, 2 gola në 7 ndeshje! Vuan nga ‘mallkimi’ i Artetës

Halaand humb shënjestrën, 2 gola në 7 ndeshje! Vuan nga ‘mallkimi’ i Artetës