Shoqatat e biznesit dhe dhomat e tregtisë kundërshtojnë përsëri projektligjin për krijimin e Dhomës Ekonomike Kombëtare. Ata janë kundër “anëtarësim të detyrueshëm për çdo subjekt aktiv në Regjistrin Tregtar.
Përmes një deklarate të firmosur nga Dhoma e Tregtisë Amerikane, Britanike, Italiane ajo e Zvicrës dhe një sërë shoqata biznesesh, kërkohet që qeveria të rishikojë përsëri projektligjin, pasi sipas tyre, përfaqësimi i biznesit duhet të jetë i lirë dhe se vetë sipërmarrja duhet të zgjedhë se në cilën shoqata apo dhomë do të anëtarësohet.
“Çdo biznes duhet të ketë lirinë të vendosë nëse dëshiron të anëtarësohet në një dhomë biznesi dhe, nëse po, në cilën organizatë dëshiron të përfaqësohet, në varësi të interesave, sektorit, profilit dhe nevojave të tij. Ekzistenca e organizatave vullnetare të biznesit, përfshirë dhomat bilaterale dhe multilaterale, shoqatat sektoriale, organizatat e investitorëve dhe organizatat e tjera përfaqësuese, është pjesë e pluralizmit të përfaqësimit të sipërmarrjes”, thuhet në deklaratë.
Në deklaratë ata thonë se nuk mund të krijohet një Dhomë monopol, që të bashkojë të gjitha përfaqësimet e sipërmarrjes.
“Krijimi me ligj i një strukture kombëtare me anëtarësi automatike nuk duhet të zëvendësojë, dobësojë apo kushtëzojë rolin e tyre, të cenojë autonominë e organizatave ekzistuese apo të kufizojë krijimin dhe funksionimin e organizatave të reja vullnetare. Po kështu, anëtarësimi i parashikuar me ligj nuk mund t’i japë DHEK një monopol apo status të privilegjuar në përfaqësimin e sipërmarrjes dhe në dialogun me institucionet”, vijon reagimi.
Biznesi kërkon gjithashtu që të përcaktohet qartë çfarë shërbimesh do të marrin në këmbim të tarifës vjetore që do të paguajnë për anëtarësimin, si dhe të publikohet një analizë e plotë mbi kostot, përfitimet dhe alternativat e reformës.
“Përcaktimi i shërbimeve dhe i kundërvlerës së tarifës nuk zgjidh, në vetvete, çështjen parimore të anëtarësimit të detyrueshëm. Një detyrim financiar nuk duhet të shërbejë si mekanizëm për financimin e detyrueshëm të një strukture përfaqësuese që biznesi nuk ka zgjedhur”, vijon më tej.
Projektligji i hedhur në konsultim në gusht parashikon anëtarësim të detyrueshëm në Dhomën e Ekonomisë për të gjitha bizneset me statusin aktiv, madje me një tarifë vjetore të detyrueshme, nga 10 mijë deri në 70 mijë lekë të reja. Tarifa do të jetë e detyrueshme dhe mospagimi shoqërohet me gjobë për bizneset.
Kliko këtu per të lexuar dokumentin e plotë










Komente
Komento