Në një raport të Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe Qëndresës Qytetare theksohet se sistemi aktual elektoral vazhdon të përballet me probleme strukturore si politizimi i administratës zgjedhore, përdorimi i burimeve publike për qëllime elektorale dhe ndëshkueshmëria e ulët për shkeljet zgjedhore.

Ndër rekomandimet kryesore të raportit është depolitizimi i administratës zgjedhore, përmes krijimit të një trupe të përhershme komisionerësh të certifikuar dhe të përzgjedhur mbi bazë meritash, duke reduktuar ndikimin e partive politike në komisionet e administrimit të zgjedhjeve.

“Kallëzimet e lidhura me vëzhguesit partiakë, ose koordinatorët e sigurisë për presion ndaj votuesve ose mbajtje të listyave të zgjedhësve ose aplikacioneve të tjera që dhunojnë të dhënat e tyre personale, nuk shoqërohen me verifikime të plota, ku mjafton si hap verifikues të shikohen dhe kamerat e sigurisë”,- tha Erida Skëndaj nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

Përfaqësuesit e Ambasadës Britanike në Tiranë apeluan palët politike se reforma e re duhet të jetë gjithëpërfshirëse.

“Një reformë gjithëpërfshirë dhe funskionale, që adreson realisht rekomandimet thelbësore të OSBE-ODHIR”, kërkoi Përfaqësuesja e Ambasadës Britanike.

Të tjera organizata të Shoqërisë civile theksuan nevojën për një reformë reale dhe jo një arnim i Kodit Aktual.

“Shqetësimi ynë kryesor është a do ketë reformë. A mund të quajmë çdo arrnim që kërkon ODHIR dhe OSBE me teknikalitete të vogla reformë? Unë personalisht nuk e quaj reformë dhe janë bërë 13 të tilla dhe të gjithë e pranojmë që nuk ka pasur”,- tha Afrim Krasniqi nga ISP.

Sa i përket hetimeve për krimet zgjedhore, organet e prokurorisë kërkojnë zgjatjen e afateve kohore.

“Krimet zgjedhore fillojnë më përpara, shumë më përpara. Ndoshta 3-6 muaj përpara ditës së zgjedhjeve, apo ndoshta edhe më shumë. Kështuqë mendoj se periudha 30 ditë përpara, dhe 30 ditë mbrapa, është e vogël. Krijimi i grupit hetimor dhe bërja e hetimeve të përbashkëta ka vështirësitë e veta”,- tha Eni Çuli, Drejtues i Prokurorisë Berat.

Raporti thekson gjithashtu nevojën për mbrojtje më të fortë për sinjalizuesit e shkeljeve zgjedhore, duke propozuar që mbrojtja ligjore të shtrihet jo vetëm për personat që denoncojnë shkeljet, por edhe për familjarët dhe bashkëpunëtorët e tyre.

Ndër rekomandimet e tjera përfshihen garantimi i barazisë së subjekteve politike në media, përmirësimi i funksionimit të Kolegjit Zgjedhor, rregullimi më i qartë i votës së diasporës dhe forcimi i hetimit të krimeve zgjedhore, përmes bashkëpunimit më të ngushtë mes KQZ-së, prokurorive dhe institucioneve ligjzbatuese.