Ambjentalistë kundër ndërtimit të Aeroporti të Vlorës: Dëmton zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë! Vlerësimi për ndikimin në mjedis, abuziv dhe klientelist! Nisni dialogun me grupet e interesit

Kamionët e parë me materialet për nisjen e punimeve të Aeroportit të Vlorës në fshatin Akërni të Vlorës kanë mbërritur prej pak ditësh, por Shoqëria Civile mjedisore kërkon nga qeveria që të ndërpriten pasi ndikon negativish në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë.

Shoqëria Civile është shprehur kundër edhe një raporti të Vlerësimit të Ndikimi në Mjedis ku thotë se ai është abuziv dhe klientelist pasi është bërë në mënyrë tendencioze në favor të ndërtimit të Aeroportit të Vlorës. Teksa rendit disa nga mangësitë kryesore të raportit Shoqëria civile kërkon nga qeveria të mos e miratojnë këtë raport dhe të nis një dialog konstruktiv me palët e interesit në të mirë të gjetjes së zgjidhjeve të cilat nuk cenon zonën e mbrojtur.

“Organizatat e shoqërisë civile mjedisore dhe ekspertët në vend kundërshtojnë studimin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis të projektit të Aeroportit të Vlorës Raporti i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM-së) së projektit të Aeroportit të Vlorës është një analizë jo-profesionale, jo-shkencore dhe qartazi klienteliste e abuzive për të justifikuar vendimmarrjen jo-transparente dhe jo-ligjore të ndërtimit të aeroportit në brendësi të Zonës së Mbrojtur Vjosë-Nartë. Pavarësisht thirrjeve të shumta dhe të vazhdueshme të organizatave të shoqërisë civile kombëtare dhe ndërkombëtare për anulimin e ndërtimit të aeroportit ndërkombëtar të Vlorës në brendësi të Zonës së Mbrojtur “Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë”, qeveria e Shqipërisë ende nuk është tërhequr nga ky plan destruktiv për natyrën e vendit tonë. Së fundmi, është bërë publike përmbledhja jo-teknike e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për këtë projekt. Në bazë të një analize paraprake të realizuar nga ekspertët e organizatave kryesore mjedisore kombëtare dhe kërkues e shkencëtarë të institucioneve kryesore akademike e kërkimore të vendit, ky raport është kryer me mungesë të thelluar profesionalizmi dhe në mënyrë tendencioze në favor të ndërtimit të aeroportit të Vlorës në zonën Akërnisë, që ndodhet në brendësi të kufijve të Zonës së Mbrojtur”, thuhet në reagimin e tyre.

Shoqëria Civile shprehet se zona e Mbrojtur Vjosë-Nartë është pjesë e pothuajse të gjitha rrjeteve ekologjike ndërkombëtare dhe mbrohet nga konventa ndërkombëtare që Shqipëria ka ratifikuar, që sipas saj dhunimi i tyre mund ta përballë vendin me presion ndërkombëtar dhe sanksione.

“Një procedurë e tillë e Vlerësimit të Posaçëm Mjedisor duhet të ishte e hapur edhe për ekspertë të ndërkombëtarë dhe në përfundim të saj, padyshim që do të kishim një tjetër rezultat dhe një tjetër vendimmarrje. Për më tepër, edhe dokumenti aktual i paraqitur i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis është një studim me pasaktësi të shumta, që reflekton moskompetencë profesionale dhe anshmëri të theksuar”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e tyre.

Zyrtarisht puna për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës sipas Ramës pritet të nis më 28 nëntor, ndërsa prej disa ditësh në zonë kanë mbërritur kamionët me materialet e para për punimet. Me mbërritjen e tyre disa banorë të fshatit Akërni por edhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë protestuar që të mos nisin punimet.

Më 20 prill u nënshkrua kontrata me kompaninë fituese për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, që pritet të ndërtohet brenda 4 viteve të ardhshme dhe do të jetë i tretë aeroport në vend ku fluturimet do të jenë transoqeanike. Fitues për ndërtimin e tij u shpall konsorcium kompanish të themeluara në Zvicër, ku pjesa më e madhe e aksioneve 50% zotërohet nga Mabetex, kompania e biznesmenit Behgjet Pacolli, dhe 48% nga YDA Group firma që po ndërton Spitalin e Fierit me bazë në Ankara dhe 2% nga 2A group.

(Njoftim per shtyp_VNM_Aeroporti i Vlores)

Deklarata e Plotë

Organizatat e shoqërisë civile mjedisore dhe ekspertët në vend kundërshtojnë studimin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis të projektit të Aeroportit të Vlorës Raporti i Vlerësimit të Ndikimt në Mjedis (VNM-së) së projektit të Aeroportit të Vlorës është një analizë jo[1]profesionale, jo-shkencore dhe qartazi klienteliste e abuzive për të justifikuar vendimmarrjen jo[1]transparente dhe jo-ligjore të ndërtimit të aeroportit në brendësi të Zonës së Mbrojtur Vjosë-Nartë

Pavarësisht thirrjeve të shumta dhe të vazhdueshme të organizatave të shoqërisë civile kombëtare dhe ndërkombëtare për anulimin e ndërtimit të aeroportit ndërkombëtar të Vlorës në brendësi të Zonës së Mbrojtur “Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë”, qeveria e Shqipërisë ende nuk është tërhequr nga ky plan destruktiv për natyrën e vendit tonë. Së fundmi, është bërë publike përmbledhja jo-teknike e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për këtë projekt.

Në bazë të një analize paraprake të realizuar nga ekspertët e organizatave kryesore mjedisore kombëtare dhe kërkues e shkencëtarë të institucioneve kryesore akademike e kërkimore të vendit, ky raport është kryer me mungesë të thelluar profesionalizmi dhe në mënyrë tendencioze në favor të ndërtimit të aeroportit të Vlorës në zonën Akërnisë, që ndodhet në brendësi të kufijve të Zonës së Mbrojtur.

Në këtë përmbledhje nuk është marrë në konsideratë fakti që Vjosë-Narta është pjesë e pothuajse të gjitha rrjeteve ekologjike ndërkombëtare që përfshijnë vendin tonë dhe kësisoj mbrohet nga konventa ndërkombëtare që Shqipëria ka ratifikuar, dhunimi i të cilave mund ta përballë vendin me presion ndërkombëtar dhe sanksione. Ndër këto konventa, mund të përmendet Konventa e Këshillit të Evropës për “Ruajtjen e Jetës së Egër dhe Habitateve Natyrore të Evropës” (të ratifikuar nga vendi ynë dhe hyrë në fuqi në vitin 1999), e cila kërkon që për zonat e rrjetit Emerald, për çdo projekt zhvillimor brenda dhe në afërsi të tyre, edhe në rastin kur projekti bëhet për qëllime strategjike, të zbatohet detyrimisht procedura e Vlerësimit të Posaçëm Mjedisor (Appropriate Assessment). Qeveria Shqiptare, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në rastin e një projekti të tillë me ndikim të madh në mjedis dhe sidomos mbi avifaunën, duke patur parasysh statusin ligjor të zonës, e ka anashkaluar këtë detyrim gjatë procesit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis. Një procedurë e tillë e Vlerësimit të Posaçëm Mjedisor duhet të ishte e hapur edhe për ekspertë të ndërkombëtarë dhe në përfundim të saj, padyshim që do të kishim një tjetër rezultat dhe një tjetër vendimmarrje. Për më tepër, edhe dokumenti aktual i paraqitur i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis është një studim me pasaktësi të shumta, që reflekton moskompetencë profesionale dhe anshmëri të theksuar. Ky vlerësim, shfaq qartazi se është realizuar qëllimisht në mënyrë të tillë për të "justifikuar" vendimin e qeverisë për ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës në brendësi të Zonës së Mbrojtur Vjosë-Nartë. Ky vendim ishte marrë “de facto” përpara kryerjes së procesit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis.

Ndër aspektet kryesore që dokumenti i VNM-së nuk trajton janë:

1. Nuk është marrë në konsideratë fakti që zona ku do të ndërtohet aeroporti është Zonë e Mbrojtur e kategorisë së V-të (Peizazh i Mbrojtur) dhe mbrohet nga legjislacioni shqiptar për ruajtjen e natyrës.

2. Nuk është marrë në konsideratë fakti që zona në fjalë është pjesë e rrjeteve ndërkombëtare ekologjike dhe mbrohet nga konventa të cilat vendi ynë i ka ratifikuar.

3. Nuk është marrë në konsideratë fakti që vendimmarrja prodhon reaksion ndërkombëtar që ndikon negativisht prioritete të tjera kombëtare të Shqipërisë, ndër më madhoret sikundër është rasti i aspiratës për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Kjo si pasojë e dhunimit të legjislacionit të Bashkimi Evropian për Ruajtjen e Natyrës i cili është transpozuar në masë rreth 90% në kuadrin ligjor vendas si dhe për dëmtimin në nivele domethënëse të trashëgimisë së përbashkët natyrore të Evropës.

4. Nuk është marrë në konsideratë prishja e imazhit të vendit nga ky investim dhe goditja e turizmit natyror të qëndrueshëm me potencial të lartë zhvillimi në Shqipëri.

5. Nuk është marrë në konsideratë përdorimi sipërfaqes në fjalë për veprimtari të tjera ekonomike që ndodhin aktualisht në zonë dhe që janë me potencial zhvillimi në të ardhmen.

6. Nuk janë marrë në konsideratë faktorët e katastrofave natyrore, si psh. përmbytjet, për të cilat zona në fjalë është tejet e ndjeshme dhe do të përkeqësohet në të ardhmen në bazë të projeksioneve për rritjen e nivelit të detit.

Këto janë vetëm disa nga mangësitë kryesore të dokumentit të paraqitur të VNM-së së Aeroportit të Vlorës, që reflektojnë qasjen e anshme dhe klienteliste që po ndiqet për këtë rast. Tregues të tjerë mbi pasaktësitë e shumta të këtij raporti mund ti gjeni në dokumentin e detajuar bashkëlidhur këtij njoftimi për shtyp. Grupimi i organizatave dhe ekspertëve të poshtëshënuar, i bën thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit që të mos e miratojnë këtë raport thellësisht të pasaktë dhe klientelist. Në të njëjtën kohë i bëjmë thirrje të ndërmarren proçeset e detyrueshme ligjore, që parashikohen nga legjislacioni vendas dhe ndërkombëtar për zona të kësaj rëndësie, në mënyrë që të mos cënohet integriteti ekologjik i këtij ekosistemi natyror të mbrojtur. Ftojmë autoritetet përgjegjëse të angazhohen në dialog konstruktiv me palët e interesit në të mirë të gjetjes së zgjidhjeve të cilat nuk cënojnë të tashmen dhe të ardhmen e zonave të mbrojtura natyrore të vendit tonë.

Lista e organizatave

1. Ekipi për Shpëtimin e Jetës së Egër në Shqipëri (Albanian Wildlife Rescue Team)

2. Grupimi Ekolëvizja

3. Instituti i Politikave Mjedisore, Shqipëri (IEP)

4. Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA)

5. Katër Putrat (FOUR PAWS)

6. Klinika e Ligjit

7. Milieukontakt Shqipëri

8. Qendra ACEG

9. Qendra Burimore e Mjedisit (REC)

10. Qendra Mjedisore për Mbrojtje, Edukim dhe Rehabilitim (EPER)

11. Qendra Mjedisore për Zhvillim, Edukim dhe Rrjetëzim (EDEN)

12. Qendra për Mbrojtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri (EcoAlbania)

13. Qendra ResPublica

14. Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA)

15. Qendra Shpendët e Shqipërisë (Birds of Albania)

16. Qendra UJA

17. Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS)

18. Shoqata për Mbrojtjen e Shpendëve dhe Gjitarëve të Shqipërisë (ASPBM)

19. Shoqata Mbrojtja dhe Zhvillimi Mjedisor e Social-ILIRIA

20. WWF Adria, Shqipëri

Ekspertët

Prof. Ferdinand Bego

Prof. Aleko Miho

Dr. Enerit Saçdanaku

Valbona Mazreku

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë