/ATSH-Gjergji Mima/ -Komisioni për Integrimin Evropian shqyrtoi sot projektligjin "Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian".
Në seancën e sotme të komisionit ishin thirrur përfaqësues nga shoqëria civile, e cila do të ketë 3 vende në Këshillin Kombëtar të Integrimit.
Drejtorja ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit shprehu vlerësim për përpjekjen për të formalizuar përfshirjen e shoqërisë civile në procesin e integrimit. Ajo u shpreh se e sheh përfaqësimin e shoqërisë civile në Këshillin Kombëtarë të Integrimit si një përfshirje me listë organizatash të specializuara për fusha të ndryshme dhe për çdo çështje të thirrej organizata që është specialiste për atë fushë.
Gjithashtu Meçe kërkoi rritje të hapësirës së informacionit për integrimin evropian. "Qytetarët kanë pak informacion për integrimin. Duhet ta shohin se çfarë sjell integrimi për qytetarët. Të bëhen publike raportet për integrimin në mënyre periodike. Të bëhet një raportim i detajuar", tha Meçe.
Ndërsa zv/ministri i Integrimit Evropian Gentian Elezi duke mbështetur përfshirjen e shoqërisë civile në procesin e integrimit theksoi se, ky draft sjell konsolidimin e bashkëpunimit me shoqërinë civile.
Paloka - Meçes: Pse KShH nuk reagon për dhunën ndaj studentëve?
Ndërkohë në seancën e sotme të komisionit parlamentar të Integrimit Evropian ka pasur edhe replika mes Kryetarit të grupit paramentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka dhe Drejtores ekzekutive të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Vjollca Meçe.
Paloka pyeti Meçen sepse KShH si organizatë e shoqërisë civile kundër dhunës dhe në respektim të të drejtave të njeriut nuk ka reaguar ndaj dhunës së ushtruar nga policia e shtetit ndaj studentëve që gjendeshin në grevën e urisë.
Meçe u shpreh se disa herë KShH ka dërguar letra kundër dhunës madje dhe kreut të grupit parlamentar të PD-së. Sot, theksoi Meçe jemi thirrur për tjetër çështje.
Ndërsa kryetarja e komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu u shpreh se, "ne si politikanë dhe ju si shoqëri civile kemi detyrë të kërkojmë respektimin e ligjit. Aq më tepër kur prioriteti i 5-të i KE ka të bëjë pikërisht me të drejtat e njeriut".