TIRANE- Byroja Shqiptare e Sigurimit (BSHS), është angazhuar në një marrëveshje ndërministrore e ndërinstitucionale për vënien në dispozicion, të një fondi prej 3% të xhiros vjetore të tregut të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve motorrike, TPL, të cilat do të përdoren nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës (MTI) dhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

Qëllimi i këtij fondi do të jetë në funksion të përmirësimit të sigurisë rrugore. Në rast se, në bazë të projekteve, ky fond i vënë në dispozicion për përmirësimin e sigurisë rrugore, do të teprojë, atëherë pjesa e papërdorur do t’u kthehet shoqërive të sigurimit.

Procedura
Brenda një periudhe 2-mujore, sipas marrëveshjes së nënshkruar ditën e djeshme, BSHS-ja është angazhuar të krijojë një fond prej 300 mijë eurosh, i cili do të pjesë e 3% të xhiros vjetore të tregut TPL. Fondi do të jetë kontribut nga të gjitha shoqëritë e sigurimeve, anëtare të BSHS-së, për të financuar nismat e ministrive për përmirësimin e sigurisë rrugore.

Pjesa e mbetur e këtij fondi do të depozitohet nga shoqëritë e sigurimit në zbatim të  kësaj marrëveshje, brenda datës 20 të çdo muaji pasardhës, në masën 3% të xhiros mujore në një llogari qëllimore për sigurinë rrugore, e cila administrohet nga BSHS-ja. Ndërkaq, fondi i lartpërmendur prej 300 mijë eurove, do të shpenzohet ekskluzivisht për financimin e prodhimit dhe lëshimit të një fushate ndërgjegjësimi për sigurinë rrugore, nga një kompani marketingu e përzgjedhur nga BSHS-ja.

Ministritë
Fondi i vënë në dispozicion nga shoqëritë e sigurimit, do të alokohet afërsisht në masën 50%  si për MTI-në ashtu edhe për MPB-në. Fondi i parashikuar për MPB-në do të shërbejë vetëm  për financimin e teknikave, pajisjeve dhe mjeteve të strukturave të Policisë Rrugore. Të gjitha prioritetet e propozuara për financim do të jenë të lidhura me përmirësimin e sigurisë rrugore. Çdo kërkesë tjetër jashtë këtij objektivi nuk do të financohet.

Shkrimi u publikua sot (14.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)