TIRANE - Është shoqëruar për disa orë në polici kapiteni i ekipit të “Partizanit”, Alert Alcani, pasi ka kundërshtuar uniformat blu.

Shoqërimi i tij është bërë ndërsa luhej ndeshja Dinamo-Partizani në stadiumin “Selman Stërmani”. Së bashku me Alcanin në polici janë shoqëruar edhe disa tifozë. Shoqërimi i kapitenit të Partizanit ndodhi pasi trajneri vendosi zëvendësimin e tij. Në këtë moment Alcani ka dalë jashtë stadiumit por kur ka kërkuar të rifutet nuk është lejuar nga uniformat blu të komisariatit numër 2.

Sipas policisë, kapiteni i Partizanit ka kundërshtuar uniformat blu, por Alcani pretendon të kundërtën. Në një intervistë për A1 Report ai ka shpjeguar se kishte dalë për të takuar prindërit e tij dhe nuk është lejuar të rifutet në stadium, pasi nuk mbante fanellën e ekipit të tij. “Uniformat blu - tha Alcani - më kanë shoqëruar menjëherë në furgonin e policisë dhe kanë ushtruar dhunë ndaj meje”. “Në këto kushte do të jem i detyruar të braktis futbollin” - ka thënë kapiteni i Partizanit.

Ndërkaq para komisaritit numër 2 në Tiranë u mblodhën dhe protestuan disa tifozë të Partizanit derisa kapiteni i ekipit u lirua nga komisariati pas marrjes në pyetje.

(Në foto: tifozët e Partizanit protestojnë para Komisariatit nr.2)

(jd/shqiptarja.com)