Në qershor të këtij viti Nderim Çiba vrau bashkëshorten Arjana Çiba në një kamp refugjatësh në Gjermani. Kjo ngjarje e rëndë bëri bujë të madhe mediatike por detaje të reja kanë dalë nga rrethanat në të cilat ndodhi vrasja makabre.

Pëllumbesha Ziu pasi ka treguar historinë e saj të dhimbshme në kampet gjermane ka folur edhe për tragjedinë e shoqes së saj Arjana Çibës, ku bashkëshorti i preu kokën, shkruan dritare.net.  
 
Pëllumbesha ka treguar se Arjana ishte një nënë shembullore për dy engjëjt e saj të vegjël, djemtë 8 dhe 9 vjeç.  Burri i saj, me të cilin ishte e martuar prej 10 vitesh ishte parë shpesh ta rrihte dhe keqtrajtonte, por ajo nuk fliste.
 
 “Edhe kur qante, e bënte pa zë dhe thoshte se qante për vëllanë e vogël, vdekur në aksident pak kohë më parë. Një ditë e pashë që shkruante. E pyeta dhe më tregoi se mbante ditar. Pas vdekjes ditarin e mori në dorëzim policia. Ata kot e mbajnë. Ku i kuptojnë këtu vuajtjet e dhimbjet  e një gruaje shqiptare”- , thotë Pëllumbesha.
 
” As ju nuk i kuptoni. Do keni dëgjuar për tragjedinë e kësaj gruaje e do keni thënë, kot nuk të vret burri, diçka do të ketë bërë. Ndaj unë dua t’u mbyll gojën të gjithëve për të treguar se ajo ishte një grua model, që e mbante brenda dhimbjen për të respektuar traditën e injorantëve. Ishte një grua engjëllore.
 
Nuk dua ta kujtoj si e pashë kur e theri ai monstra, që do kalbet  në burg tani. Dua ta mbaj mend si në videon e fundit kur ishim bashkë në kishë, pak dite para 19 qershorit,  kur e vranë.
 
Ishte ditë e bukur, ajo kishte vënë një rreth te bardhë në koke dhe unë e xhirova me celular. Po ua dhuroj juve videon, t’i tregoni të gjithëve fytyrën e saj para se ta merrte i ligu. E mjera shqiptare e mirë. Të mjerat ne
", shton ajo.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com