TIRANE - Ministria e Mbrojtjes ka nisur hetimin lidhur me shpërthimin e fuqishëm që ndodhi të premten gjatë procesit të demontimit të municioneve në poligonin e Xibrakës. Në njoftimin e saj zyrtar ministria thotë se u ka kërkuar ekspertëve përkatës përpilimin e një raporti lidhur me procesin e asgjësimit si dhe nxjerrjen e përgjegjësive për rastin konkret. Aktualisht, - thotë ministria,  - është hartuar një raport paraprak nga grupi i verifikimit, por do të duhet ende hetim i mëtejshëm për të dalë në konkluzion përfundimtar.
 
Në vendin e ngjarjes në Xibrakë pas shpërthimit në poligon kanë shkuar inxhinierë të lëndëve plasëse, përfaqësues të Shtabit të Përgjithshëm, ekspertë të Policisë Ushtarke, strukturat mbikëqyrëse dhe struktura mbështetëse.
 
Sipas informacionit paraprak dhënë prej tyre praktika e asgjësimit me djegie të baruteve dhe mjeteve jashtë përdorimit është zbatuar në mënyrë rigoroze. Paraprakisht ekspertët thonë se për shpërthimin mund të kenë ndikuar edhe temperaturat e larta.
 
Ekspertët, - thotë Ministria e Mbrojtjes, - janë duke bërë edhe verifikimin e dëmeve materiale të shkaktuara nga shpërthimi në banesat që ndodhen pranë poligonit.
 
Paraditen e 14 gushtit shpërthimi i predhave në fshatin Polis dëmtoi me dhjetëra banesa e biznese aty pranë si pasojë e valës goditëse. Më herët shefi i Shtabit të Emergjencave Mustafa Arapi tha se predhat po çaktivizoheshin në prani të specialistëve.
 
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)