Policia vijon kontrollet rrugore me qëllim parandalimin e aksidenteve duke përdorur metoda të sofistikuara si dronë, radarë e aparate fotografike. Gjatë 48 orëve janë gjobitur 4134 shoferë të cilët u konstatuan me shpejtësi jashtë normave të lejuara, duke bërë parakalime të gabuara ose duke përdorur celularin gjatë drejtimit të mjetit.
Ndërkaq, janë pezulluar 71 leje drejtimi, ku 51 prej tyre për shpejtësi mbi normat dhe 20 për drejtim nën efektin e alkoolit.
Mirëpo patrullave të Policisë Rrugore nuk iu kanë shpëtuar as 36 shoferë, nga të cilët 12 për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 15 për drejtim mjeti pa leje drejtimi, 1 për falsifikim të certifikatës për errësimin e xhamave të automjetit, 6 pasi tentuan të korruptonin punonjësit e policisë dhe 2 shoferë pasi denoncimeve të qytetarëve se po kryenin manovra të rrezikshme në rrugë në gjendje të dehur.
Njoftimi i Policisë:
Mos drejtoni mjetin në gjendje të dehur ose me shpejtësi tej normave të lejuara, mos shkelni semaforin, mos kryeni parakalime të gabuara dhe mos tentoni të korruptoni punonjësit e Policisë Rrugore, për të shmangur masën administrative.
Intensifikimi i kontrolleve nga Njësia Operacionale e Policisë Rrugore, Komisariati i Policisë Rrugore Tiranë dhe Sektorët e Policisë Rrugore në DVP-të, duke përdorur dronë, radarë, kamera, aparate fotografike, makina të paloguara, ka çuar në pranga 28 drejtues mjetesh, nga të cilët 12 për drejtim mjeti në gjendje të dehur, që varionte nga 0.60 mg/l deri në 1.22 mg/l, 15 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 1 për falsifikim të certifikatës për errësimin e xhamave të automjetit.
Gjithashtu, përgjatë kontrolleve parandaluese të alternuara, me qëllim konstatimin dhe verifikimin e shkeljeve që janë burim për aksidentet rrugore, efektivët e Policisë Rrugore, krahas procedimit administrativ për shkeljet e konstatuara, përgjatë 48 orëve të fundit kanë arrestuar në kushtet e flagrancës 6 drejtues mjetesh, për tentativë për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore, nga të cilët 3 nga Policia Rrugore e Tiranës, 1 nga Policia Rugore e Lezhës, 1 nga Policia Rrugore e Shkodrës dhe 1 nga Policia Rrugore e Vlorës, të cilët për t’i shpëtuar masës administrative për shpejtësi tej normave të lejuara në qendrat e banuara, për shkelje semafori, për mungesë siguracioni, për mosvendosje të rripit të sigurimit dhe parakalim të gabuar, iu kanë ofruar punonjësve të Policisë Rrugore, nga 2000 deri në 8000 lekë.
Ndërkohë, vijon të rritet besimi i qytetarëve te Policia duke denoncuar raste të shumta të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, të cilat kanë pasoja për jetën e qytetarëve në rrugë.
Falë këtyre telefonatave, në Tiranë janë vënë në pranga 2 drejtues mjetesh, 1 në Laprakë duke kryer manovra të rrezikshme në rrugë, në gjendje të dehur, dhe 1 rrugën “Pjetër Budi”, i cili pa leje drejtimi dhe në gjendje të dehur në masën 0.94 mg/l, gërmonte me një mjet teknologjik në afërsi të një pallati, duke rrezikuar shembjen e pallatit.
Po gjatë 48 orëve, si rezultat i kontrolleve dhe denoncimeve në Komisariatin Dixhital e në numrin pa pagesë 112, janë ndëshkuar me masë administrative 4134 drejtues mjetesh, për shkelje që janë rrezik potecial për përfshirje në aksidente rrugore, si parakalime e manovra të rrezikshme në rrugë, shpejtësi tej normave të lejura, përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosvendosje të rripit të sigurimit apo kaskës mbrojtëse, drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit apo pa leje drejtimi.
Gjithashtu janë pezulluar 71 leje drejtimi, nga të cilat 51 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara, që varionte nga 75 km/h në qendrat e banuara deri në 180 km/h në rrugën interurbane Fier -Vlorë, dhe 20 për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.
Policia Rrugore, nisur edhe nga fakti se në akset rrugore në drejtim të Tiranës dhe Morinës ka fluks të shtuar pasditen e sotme, apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.