TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj është arrestuar ditën e sotme, pasi akuzohet për shpërdorim detyre. Së bashku me Gjokutajn, në pranga kanë rënë edhe  përmbaruesi Alban Ruli dhe drejtori juridik i Ministrisë së Financave', Fatmir Hoxhaj. Ata firmosën dokumente për t’i kaluar 1.2 mln euro Ilir Thanës, duke e trajtuar si ish-pronar, por që nuk e kishte një status të tillë. Nga kjo shumë, Ilir Thana mori vetëm 400 mijë €, teksa pjesa tjetër e parave Ilir Thanës do t’i kalonte në muajt në vijim, por skema e mashtrimit u pikas.

Skema e mashtrimit
Gjithçka lidhet me një kontratë blerje të firmosur mes Ilir Thanës, i arrestuar në dhjetor 2022, dhe Drejtorisë së  Shërbimit Qeveritar për privatizimin e një objekti magazinë nr.2 në vitin 1992. Pas vendimit të gjykatës së Apelit të Tiranës, kontrata u shpall e pavlefshme dhe palët u kthyen në pozicionin e mëparshëm. Ndaj Ilir Thanos u kthye shuma prej 103.046 lekësh me të cilën ky shtetas kishte blerë objektin e magazinës. Ministria e Financave transferoi në llogarinë e Ilir Thanës shumën prej 284.139, sa vlera e objekteve të blera e konvertuar me indeksin e rritjes së çmimeve, bazuar në informacionin e dërguar nga Sektori i Publikimeve në INSTAT.

Më tej, Ilir Thana i është drejtuar Zyrës Përmbarimore e cila në kundërshtim flagrant me ligjin  ka vlerësuar në vitin 2022, objektin magazinë dhe truallin për një vlerë të përgjithshme prej 145.867.920 , duke u hequr dhe trajtuar si ish pronar Ilir Thanën në një kohë që nuk ka qenë asnjëherë me këtë status. E gjithë vlera e përcaktuar për t’ju dhënë Ilir Thanës është në kundërshtim me ligjin dhe cenon buxhetin e shtetit në rreth 1.200.000 euro.

Ministria e Financave ka kaluar në favor të Ilir Thanës shumën prej 48.118.366 lekësh. Nga kjo shumë është e provuar se 25.000.000 lekë kanë kaluar në favor të një gruaje me inicialet Sh.P. Ka dyshime se veprimet e përmbaruesit, të Ministrisë së Financave dhe Gjokutajt, kanë shpërdoruar detyrën duke vjedhur nga Buxheti i Shtetit deri në këtë fazë shumën 48.118.366 lekë dhe tentuar për të vjedhur pjesën e mbetur. Prokuroria ka urdhëruar sekuestrimin e shumën e kaluar ndaj Ilir Thanës dhe llogarisë qëllimore të përmbaruesit, duke arritur të sekuestrojë deri në këtë fazë të hetimeve rreth 22.000.000 lekë.

Kush ishte Arlind Gjokutaj?
Arlind Gjokutaj u emërua si sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në tetor të 2021. Më herët, ai ka mbajtur postin e drejtorit të doganave, ka qenë pjesë e Njësisë Speciale të Antikorrupsionit dhe Antievazionit si edhe te Drejtoria e Parandalimit të pastrimit të parave.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:44
Pranga sekretarit të Përgjithshëm të ‘Financave’, avokati: S’ka korrupsion, zbatoi vendimin! Janë shkelur procedurat! Prokurori s'meriton as diplomën

1673473647_27812642412109262130478387537029435603780794n.jpg

Genc Gjokutaj, avokati i sekretarit të Përgjithshëm të Arlind Gjokutaj është shprehur se arrestimi i zyrtarit të lartë është bërë në shkelje të ligjit duke hedhur në akuza në drejtim të Prokurorisë. Sipas tij, Gjokutaj nuk ka bërë asgjë tjetër veç se ka ekzekutuar vendimin pa asnjë lloj favori, pra sipas tij nuk është një rast korruptiv. Avokati thotë se Gjokutaj nuk është informuar për hapat e hetimit dhe se Prokuroria ka bërë shkelje proceduriale.

“Ne lidhje me njoftimin e Prokurorise se Rrethit Gjyqesor Tirane sa i perket kerkeses se saj per caktimin e mases se sigurimit “arrest ne burg” per shtetasin Arlind Gjokutaj me detyre Sekretar i Pergjithshem ne Ministrine e Financave, ne cilesine e mbrojtesve te tij ligjore bejme me dije si me poshte: Prokuroria e Rrethit Gjyqesor Tirane ne shkelje flagrante te dispozitave ligjore Kushtetuese dhe te Kodit te Procedures Penale qe kane te bejne me sigurine juridike, garantimin e nje procesi te rregullt ligjor dhe te drejtat e shtetasve per moscenimin e lirise personale pa nje garanci te tille ka kerkuar prane Gjykates se Rrethit Gjyqesor Tirane caktimin e mases se sigurimit “arrest ne burg”. Kjo kerkese e Prokurorit te çeshtjes eshte bere pa e pyetur dhe pa e ballafaquar qofte edhe nje here te vetme me shtetasin ne fjale me provat qe Prokuroria mendon se perbejne akuze.

Njoftimi i Prokurorise pas caktimit te mases se sigurimit “arrest ne burg” brenda dites eshte nje praktike e paprecedente, tejet shqetesuese per standartet elementare te nje shteti te se drejtes dhe behet per protagonizem jo per drejtesi nga nje prokurori e lodhur dhe me nje reputacion skandaloz per zvarritje ceshtjesh! Kete e provon fakti se njoftimi i Prokurorise permban elemente penale te pavertete qe nuk i perkasin procedures administrative si objekt i ketij hetimi me qellim krijimin e nje opinioni te rreme dhe trysnimin e gjykates!

Çeshtja ne fjale eshte nje proces administrativ civil qe nuk ka te beje fare me dispozitat e Kodit Penal dhe nuk behet fjale per asnje lloj korrupsioni apo abuzimi me detyren nga nje individ i respektuar si nje zyrtar i pakompromentueshem i shtetit. Ajo ne vetvete perben ekzekutimin e nje titulli ekzekutiv pa asnje lloj perfitimi material apo çdo lloj favori tjeter.

Duke qene te vetedijshem mbi proceduren e rastit konkret e cila eshte ne perputhje te plote me ligjin i bejme thirrje Medias qe ne funksion te informimit objektiv te publikut te investigoje rastin konkret dhe te mos bjere pre e njoftimeve te paverteta dhe keqperdorimit te detyres nga Prokurori i çeshtjes! Ky rast eshte kembane alarmi jo per te korruptuarit po per kedo qe ushtron detyren me korrektese dhe prokurori ne fjale nuk meriton as diplomen, jo me funksionin qe i eshte besuar. Duke qene te gatshem per te bere gjithshka per sqarimin ne menyre objektive te çeshtjes ne fjale Ju falenderojme!

Avokatet Genci Gjokutaj dhe Sokol Hazizaj”, tha Gjokutaj.

Ora 17:08
U arrestua sot për shpërdorim detyre, kush është përmbaruesi Alban Ruli dhe manovrat që bënte me ligjin

1673453358_ruli.jpg

Përmbaruesi Alban Ruli i arrestuar ditën e sotme, nuk është një emër i panjohur. Kjo sepse Report Tv ka sjellë në një shkrim të gjatë se si ky përmbarues në vend që të ekzekutojë një vendim për vendosje gjobe, i konfirmuar nga Gjykata e Apelit, tenton të shpëtojë subjektin e gjobitur, me manovra procedurale dhe në tejkalim të kompetencave.  Alban Ruli, përmbarues pranë shoqërisë “ARB” u  kontraktua nga Autoriteti i Konkurrencës për të ekzekutuar një vendim të formës së prerë për vendosje gjobe ndaj kompanisë ‘EKMA Albania’, pronarja e 100% të aksione të tregu agro-ushqimor i Tiranës. Tregu agro-ushqimor u dënua nga Gjykata e Apelit për shkak se kryente abuzime të mëdha në kurriz të tregtarëve duke përfituar nga një pozicion monopolist. Gjoba ka një vlerë të konsiderueshme prej 43.168.617 lekë ose 430 milionë lekë të vjetra. Por, vendimi i ekzekutimit është zvarritur, pikërisht falë veprimeve të dyshimta të përmbaruesit që ka përfunduar tani para Ministrisë së Drejtësisë.