TIRANE - Një ditë pas zyrtarizimit të kandidaturës së Xhelal Mziut për Bashkinë e Kamzës, Gjykata e Tiranës e ka dënuar me dy vjet burg  i vënë nën akuzë “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë në tendera”. Vendimi është marrë ditën e sotme, ku krahas të tjerave Gjykata ka vendosur që Mziut t'i hiqet e drejta e ushtrimit të fuknsioneve publike. 

Nga ana e saj Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 4 vite burg për kryebashkiakun Mziu, ndërsa pas shqyrtimit të provave gjykata ka vendosur të dënojë me 2 vite burg atë. Sipas Prokurorit të çështjes, “taksat vendore ndryshonin sipas dëshirës së Xhelal Mziut ku një herë uleshin një herë ngriheshin.” 

Në të njëjtën kohë Gjykata ka dënuar me nga 6 muaj burg edhe dy specialistët e Bashkisë Kamëz, Drejtorin e Tatimeve në këtë bashki Bujar Loshi dhe juristin e bashkisë Atlis Hotin, që të dy të akuzuar për “shpërdorim detyre”.

Sipas gjykatës, tre të pandehurit kanë kryer vepër penale me dashje duke bllokuar padrejtësisht llogaritë bankare të shoqërisë “Albavia”. Kryebashkiaku i Kamzës akuzohet edhe se ka vepruar në mënyrë arbitrare për disa vite me rradhë duke vendosur gjoba të pamerituara në ngarkim të subjekteve “Gjoka Konstruksion” dhe “Albavia”. Ndaj kësaj të fundit vlera e gjobave ka qënë 120 milion lekë të vjetra ndërsa për subjektin tjetër “Gjoka Konstruksion” gjoba shkonte në 50 milion lekë të vjetra.