TIRANË, 10 Korrik/ATSH/-Rreth 200 familjarë të ish të përndjekurve politikë morën sot këstin e parë të dëmshpërblimit për vitet e burgut të kryera në regjimin komunist.
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, shpërndau pagesat e këstit të parë për 79 dosje, të cilëve u kanë kaluar këtë javë në llogaritë e tyre bankare.
Duke u fokusuar tek diskutimet për projektligjin "Për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë", Veliaj tha se ligji po ndryshon pikërisht për të ecur me një ritëm më të shpejtë me ndarjen e kësteve. "Arsyeja kryesore pse ndryshuam ligjin jeni ju, sepse kanë kaluar 23 vjet nga rënia e komunizmit dhe ende nuk jeni dëmshpërblyer. Kjo është e pamoralshme, nënvizoi ai.
Sipas ministrit Veliaj, nëse do të vazhdonim me këtë ritëm, kur gjatë këtyre viteve janë disbursuar vetëm 20% e pagesave për ish të përndjekurit, atëherë për dëmshpërblimin e tyre do të duheshin 120 vjet. "Me ndryshimet që kemi propozuar ne duam ta përshpejtojmë këtë proces dhe t'u japim prioritet atyre që janë gjallë dhe që kanë vuajtur vetë në burgjet e komunizmit", shtoi ai.
Këto ndryshime në ligj do t'i jepnin mundësi Ministrisë që të automatizonte të gjitha pagesat dhe të shmangte vonesat për këstet e tjera. Veliaj tha se MMSR është në diskutime me Ministrinë e Financave për të rritur fondin për vitin tjetër edhe me të paktën 2 milion dollarë.
"Me ish të përndjekurit është abuzuar shumë politikisht. Një nga grevat e urisë që u bë instrument politik organizohej nga njerëz që nuk kishin bërë vetë asnjë ditë burg dhe që i kishin marrë dy këste", u shpreh ai.
Drejtori i Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë, Bilal Kola, tha se skema e dëmshpërblimit e propozuar me projektligjin e ri është solidare dhe favorizon fillimisht ata që janë gjallë. "Por, as trashëgimtarët nuk lihen mënjanë, por duke qenë se nevojat më imediate i kanë moshat e thyera dhe ky ligj përshkohet nga një fill solidariteti, gjykoj se moshat e thyera dhe gjinia duhet të shihen me përparësi", deklaroi ai.Fondi i dëmshpërblimit që u shpërnda sot për 79 dosje dhe 200 përfitues është 42.474.209 lek./a.gegvataj/