Shpërthejnë virozat, më të prekurit
janë fëmijët/ Shenjat dhe Këshilla

Shpërthejnë virozat, më të prekurit<br />janë fëmijët/ Shenjat dhe Këshilla
TIRANË - Me qindra fëmijë i drejtohen urgjencave pediatrike dhe poliklinikave në kryeqytet për shkak të problemeve shëndetësore të shkaktuara nga viroza. Sipas të dhënave nga mjekët pediatër rezulton se më të prekur janë fëmijët dhe më pak të rriturit.

Rastet
Luhatja e temperaturave me 5 deri në 7 gradë Celsius brenda disa ditëve, ka rritur ndjeshëm numrin e pacienteve të cilët kanë pasur probleme shëndetësore pothuajse të ngjashme, dhe kanë kërkuar ndihmën e mjekeve. Fëmijët të cilët frekuentojnë shkollat dhe kopshtet janë kategoria më e prekur nga virozat dhe problemet respiratore. Sipas mjekëve simptomat që shfaqen kryesisht janë ato të temperaturës së lartë, kollë, të përziera si dhe bllokim të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. “Gjatë këtyre ditëve kemi një shtim të madh të moshës pediatrie të prekur nga viroza.

Fillimisht nis me probleme të lehta si përzierje apo temperaturë deri në 37 gradë, por më pas ajo kthehet në agresive. Shumica e rasteve që kemi konstatuar kanë qenë të vegjël me temperaturë deri më 40 gradë” ka pohuar mjeku i urgjencës, Arben Doka. Sipas tij, u këshillohet prindërve që në momentet e para të kontaktojnë me mjekun për të marrë mjekimin e nevojshëm. “Kontakti me mjekun pediatër duhet të jetë i përditshëm sidomos në 3 apo 4 ditët e para të sëmundjes, pasi në shumë raste janë shfaqur edhe komplikacione të virusit me acarim të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes çka ka kërkuar edhe një trajtim më specifik” pohon mjeku pediatër.

Këshillat
Por çfarë duhet pasur parasysh në rastet kur një fëmijë është i prekur nga viroza. Ajo që mjekët këshillojnë është kontakti me bluzat e bardha dhe jo vetëmjekimi që bëhet duke blerë medikamente në farmaci. “Këshilla kryesore që ne japim është kontakti me mjekun pediatër. Do të ishte e këshillueshme që i njëjti mjek të ndjekë fëmijën e sëmurë përgjatë gjithë ditëve në mënyrë që të shohë ndryshimin e situatës nga dita në ditë. Këshillë tjetër e rëndësishme është përdorimi i lëngjeve sidomos atyre që përmbajnë vitaminë C, ambiente të ngrohta por të ajrosura herë pas here” pohon pediatri Doka. Sipas tij, një tjetër këshillë e rëndësishme është të mos përdoret antibiotikë përveçse në rastet kur ka komplikacione apo prani të infeksioneve. Po kështu në këshillat e mjekëve renditet edhe higjiena e lartë personale, larje e duarve me sapun në mënyrë që infeksionet të mos përçohen.

Kush preket më shpesh ?
Me të prekur nga virozat e stinës janë fëmijët, kurse të rriturit janë disi më të mbrojtur. Por edhe të sëmurët kronikë, si dhe mosha e tretë, janë me të predispozuarit për t’u prekur nga virozat e stinës. Tek personat, të cilët kanë një sëmundje kronike, imuniteti i tyre i trupit është më i ulët dhe ata mund ta marrin virusin shumë më shpejt.

Simptomat
Dhimbje koke e vazhdueshme
Mungesë ose humbje të oreksit
Dhimbje dhe acarim i fytit
Temperaturë e lartë 39 deri në 40 gradë
Vështirësi në rrugët e frymëmarrjes
Kollë e thatë dhe e vazhdueshme
 
Këshillat
Të mos konsumohen lëngje të ftohta
Veshje në bazë të temperaturës së ajrit
Konsum të lëngjeve
Këshillohet lëngu i portokalltit
Përdorimi i frutave me vitaminës C
Higjienë e lartë personale
Fëmijët të qëndrojnë larg vendeve me lagështirë dhe kornete ajri

virozat


Redaksia Online
(E.Ç.çshqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Zjarr pranë ish-repartit ushtarak në Fier, dëgjohen shpërthime fishekësh

Zjarr pranë ish-repartit ushtarak në Fier, dëgjohen shpërthime fishekësh