Të paktën një person humbi jetën dhe disa të tjerë mbetën të plagosur pas një shpërthimi që ndodhi të enjten në portin e Roterdamit në Holandë, porti më i madh i Europës.

Sipas policisë, shpërthimi ndodhi rreth mesditës në një rafineri dhe terminal karburantesh të kompanisë Gunvor Energy, në zonën industriale të portit. Autoritetet kanë rrethuar vendngjarjen dhe kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e incidentit.

Mediat holandeze raportuan se në momentin e shpërthimit një ekip mirëmbajtjeje po punonte në një segment tubacionesh.

Shërbimet e emergjencës njoftuan gjithashtu për një ndërprerje të madhe të energjisë elektrike në port, ndërsa një transformator mori flakë në rrethana ende të paqarta. Si masë sigurie, disa kompani pezulluan aktivitetin dhe evakuuan punonjësit.

Pak orë më vonë furnizimi me energji elektrike nisi të rikthehej gradualisht në zonën industriale, ku operojnë një numër i madh kompanish të sektorit të naftës dhe gazit. Deri tani nuk është konfirmuar nëse ndërprerja e energjisë kishte lidhje me shpërthimin.