Një tjetër shpërthim me eksploziv ka tronditur Fushë-Krujën në orët e para të ditës së sotme. Pas mesnate, rreth orës 02:15, jashtë rrethimit të banesës së Agron Kocjas në lagjen "Magaze" është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi lënde plasëse.

Nga shpërthimi raportohet se ka vetëm dëme të vogla materiale. Duket se tritoli ka qenë një mesazh, ndërsa po hetohet për konfliktet e të zotit të shtëpisë apo djalit të tij Eraldo Kocja 22 vjeç, që policia i referohet si pronar i banesës.

Agron Kocja 46-vjeç është pronar i një servisi në Fushë Krujë, ku punon bashkë me djemtë. Mbrëmë në banesë ndodhej vetëm 46-vjeçari dhe e shoqja.

Në momentin e shpërthimit Eraldo, që është djali i vogël ka qenë roje të servisi, pasi pak kohë më parë ia kanë vjedhur, ndërsa i madhi te vjehrri. Nga të dhënat e para mësohet se familja nuk ka konflikte. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Dy net më parë po në Fushë Krujë iu vendos eksploziv banesës së 17-vjeçares që denoncoi përdhunimin nga gjashtë të rinj, pesë nga të cilët janë pas hekurave, ndërsa drejtuesi i grupit është ende në kërkim.