Një sasi lënde shpërthyese është vendosur në hyrjen e një vile në fshatin Rrilë të Lezhës, duke shkaktuar dëme të shumta materiale. Objekt i sulmit ka qenë shtëpia e Tom Çungut, ndërsa shpërthimi është regjistruar rreth orës 06:40.
Megjithëse zhurma është dëgjuar nga banorët e zonës, askush nuk ka dyshuar se bëhej fjalë për eksploziv të vendosur pranë banesës. Policia është njoftuar vetëm katër orë më vonë nga kompania private që kishte në ruajtje objektin.
“Ishim në gjumë, e dëgjuam zhurmën, dolëm jashtë por nuk pamë gjë. Shtëpia na u drithërua, u tronditën themelët. U trembëm, sepse ishte shumë e fuqishme. Ata janë një familje e mirë, i kemi miq”, tha një banore e zonës.
Në momentin e shpërthimit në banesë nuk ndodhej asnjë person. Familja Çungu jeton prej më shumë se dy dekadash në Itali, ndërsa shtëpia ishte ndërtuar së fundmi. Shpërthimi ka dëmtuar pjesën hyrëse dhe ambiente të brendshme të banesës. Zona ku ndodhet objekti nuk monitorohet nga kamera sigurie, çka e vështirëson hetimin.
Sipas burimeve hetimore, dyshohet se autorët janë afruar përmes rrugëve dytësore, pasi nga verifikimet e deritanishme në kamerat e aksit kryesor hyrës nuk janë konstatuar lëvizje të dyshimta në orarin e shpërthimit.
Deri tani, nga hetimet paraprake nuk rezulton që familja Çungu të ketë pasur konflikte apo precedentë problematikë dhe motivet e këtij atentati me lëndë shpërthyese mbeten ende të paqarta.
“Rreth orës 06:40, në fshatin Rrilë, Lezhë, në portën e jashtme të banesës në pronësi të shtetasit T. Ç., me banim të përkohshëm në Itali, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. (Prej më shumë se 20 vitesh nuk banon njeri në këtë banesë).
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor.
Nën drejtimin e Prokurorisë, po kryhen veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, njoftoi sot policia.
Komente






