TIRANE- Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mesnatën e të shtunës në Farkë të Vogël, ndërsa motivet janë ende mister. Si pasojë e shpërthimit është dëmtuar gardhi rrethues i varrezave, ndërsa ngjarja ndodhte vetëm 400 metra larg banesës së kryetarit të Komunës së Farkës, Fatbardh Plaku, gjë që edhe ka alarmuar policinë.
 
Burimet policore përjashtuan në ketë prova apo informacione se objekt i sulmit të ketë qenë ndonjë kërcënim ndaj Plakut. Banesa e këtij të fundit ndodhet në një largësi në vijë ajrore rreth 400 metra larg vendit të shpërthimit.
 
Në fakt, banesa e Plakut ka qenë më parë objekt i një sulmi me antitank, dhe disa javë më vonë, dy djemtë e kryekomunarit u sulmuan me armë në rrugicat e Farkës së Vogël teksa ktheheshin në banesë.
 
Në ngjarjen e mesnatës të së shtunës, sipas policisë, ka shpërthyer një kallëp tritol, i cili mund të ketë patur për qëllim vetëm asgjësimin e lëndës eksplozive.
 
Policia është duke hetuar dyshimet se ngjarja mund të jetë nga elementët e ndonjë grupi kriminal, të cilët kryejnë testime të shpërthimeve me eksploziv për t’i përdorur më pas në ngjarje të mirëfillta kriminale.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)