Shpërthime të mëdha, në Shqipërinë tonë të vogël

Shpërthime të mëdha, në Shqipërinë tonë të vogël

Një vend i vogël si i yni ka të mirat e të këqijat e tij. E dimë. Të mirat vijnë përmes ngrohtësisë njerëzore dhe kontakteve në raste ndihme, që në vende të mëdha largësia i bën më të ftohta e më pak efikase, por kjo, shndërrohet edhe në një të keqe kur mes nesh shohim vetëm urrejtje, negativitet dhe konflikt. Në këtë rast, të ndodhur si në një tenxhere presioni të vogël, të gjendur afër-afër, fryhemi e fryhemi e rrezikojmë të shpërthejmë. Në të vërtetë... herë pas here realisht "shpërthejmë". Edhe shprehjet nëpër tituj lajmesh "shpërthen" ky e "shpërthen" ajo, duket sikur janë një ekzagjerim i asaj apo atij redaktori, por jo, gjendja reale është kjo: Në Shqipërinë tonë të vogël ka "shpërthime" të mëdha njerëzore.

Përditë "shpërthen" dikush ndaj dikujt duke krijuar edhe rrathët e pasojave: ngjarje politike, sociale, kulturore e bëjnë mjedisin ku jetojmë si një vullkan përherë aktiv.

Ndoshta mund të kemi dhe një "të mirë" nga kjo: Nuk mërzitemi; sa herë kemi një "shpërthim" publik përmes ekraneve apo rrjeteve sociale, për ata që nuk përfshihen është si një teatër me gjithë tragjiken e komikën që përbën.  Po për ata që përfshihen? Mendoj se për këdo është e rëndë.

Kur Konica, Noli, Frashëri mërziteshin me sjelljet dhe veset tona, kur të tjerë shqiptarë humbin durimin e largohen përgjithmonë në skajet më të largëta për të shpëtuar nga të tonat "shpërthime", si atëherë, edhe sot, ndoshta duhet të reflektojmë.

Për fjalën në radhë të parë. Gjatë "shpërthimeve" fjalët janë aq të rënda, ofenduese, denigruese, saqë një "bombë" duket më e lehtë në peshën fizike të saj.

Pastaj për logjikën. Veprimet e rënda kanë fjalë të rënda, veprimet e lehta, më të lehtë e kanë fjalën pas. Te ne kjo nuk ndodh. Pavarësisht peshës së veprimit, fjalët qëllon të jenë të rënda sa një mal, ose e kundërta: Veprime të jashtëzakonshme, mbartin pupla në vend të gjykimit të rëndë.

Nuk di nëse në një kohë të caktuar, njerëz të caktuar e bënë këtë ngatërresë të madhe pa dashur apo qëllimisht. Nuk di nëse kastile dikush bërtiti "ujku" kur pa "qingjin", e "qingji" kur mes nesh lëvizte "ujku", por ndoshta është koha që shumë prej nesh të përpiqen të vendosin mirë pikat mbi "i".

Në vendin tonë të vogël njerëzit "shpërthejnë", pasi shumë abuzojnë me fjalën dhe logjikën, vetëm kur të kemi vullnetin e të bëhemi sa më shumë që nuk abuzojmë, ndoshta gjërat do të ndryshojnë.

 

a.m./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja