Dy shpërthime dëmtuan dy cisterna të flotës së fshehtë të Rusisë në Detin e Zi, pranë ngushticës së Bosforit në Turqi, ditën e premte, duke shkaktuar zjarre në anije dhe duke detyruar nisjen e operacioneve të kërkim-shpëtimit për personat në bord, thanë autoritetet turke dhe burime të tjera.

Ministria turke e Transportit tha se cisterna Kairos, e gjatë 274 metra, pësoi një shpërthim dhe mori flakë në Detin e Zi, ndërsa ishte në rrugëtim nga Egjipti drejt Rusisë. Dy varka shpëtimi të shpejta, një rimorkiator dhe një anije emergjence u dërguan menjëherë në vendngjarje dhe 25 anëtarët e ekuipazhit u shpëtuan të gjithë.

Drejtoria e Çështjeve Detare të Turqisë bëri të ditur se Kairos po shkonte drejt portit rus të Novorossiysk dhe raportoi për një “goditje të jashtme” që shkaktoi zjarrin, rreth 28 milje detare larg bregut turk.

Ai njoftoi gjithashtu se një tjetër cisternë, Virat, dyshohet se është goditur rreth 35 milje detare larg brigjeve, më në lindje të Detit të Zi, dhe njësi shpëtimi si edhe një anije tregtare u dërguan në vendngjarje. U raportua tym i dendur në dhomën e motorëve, por 20 anëtarët e ekuipazhit janë në gjendje të mirë.

Sipas të dhënave të LSEG, si Kairos ashtu edhe Virat ndodhen në listën e anijeve të prekura nga sanksionet e vendosura kundër Rusisë pas pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022. Në vitet e fundit ka pasur raste të anijeve që kanë goditur mina në Detin e Zi dhe disa mina janë gjetur teksa lëviznin të shkëputura.

Agjencia detare Tribeca tha se Kairos po lundronte nën flamurin e Gambisë dhe ishte bosh (pa ngarkesë) në momentin e incidentit. Raportet e para sugjeronin se anija mund të ketë goditur një minë detare dhe mund të jetë në rrezik të fundosjes.