TIRANE - Shpërthimet e një guroreje rrëzë malit të fshatit Herraj, kanë dëmtuar shkollën 9-vjeçare të fshatit duke rrezikuar shembjen e saj, duke rrezikuar jetën e nxënësve çka ka bërë të pamundur vijimin e mësimit në këtë shkollë.

Kryetari i fshatit Herraj Xhemal Metani denoncoi shpërthimet në gurore.

“Siç e shikoni është shkolla 9-vjeçare e fshtatit Herraj, ka pas vazhduar mësimi i rregullt, tani ka kohë që bëjnë shpërthime këtu tek gurorja përballë dhe kjo shkollë është bërë gati dy vite që është bërë e pabanueshme, që nuk jepet mësim në të nga plasaritjet. Mësimi jepet në një objekt tjetër që e ka marrë komuna me qira”, -thotë Metani.
 
Shpërthimet sipas tij, jo vetëm rrezikonin shkollën dhe banesat por po ashtu edhe tubacionet e ujësjellësit të Bovillës që kalon aty pranë.
 
Këtu ka rreth 8-9 vjet që bëhen shpërthime, plasje masive që bëhen që tronditën gjithë qendrën e banimit këtu afër, me tubacionet e ujit të Bovillës, rezervuarin e Bovillës,”, -thotë një tjetër banor.

Kryetari i fshatit thotë se ka njoftuar kryeministrin dhe institucionet e tjera. Por pavarësisht porosive të lëna ndaj institucioneve të tjera, komuna, apo Inspektoriati i Mbrojtjes së territorit, nuk kanë reaguar për të bllokuar shpërthimet për të parandaluar dëmtimin e mëtejshme të shkollës dhe banesave.

Veç rrezikimit të banesave shpërthimet e gurores, po rrezikojnë edhe dëmtimin e natyrës. Nxjerrja e gurëve, po dëmton një panoramë mahnitëse të zonës.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)