Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore nuk tërhiqet nga misioni i saj dhe ka mbërritur në centralin bërthamor të Zaporizhas, në Ukrainë. Kreu i Agjencisë së Energjisë Atomike që është në varësi të Kombeve të Bashkuara, Rafael Grossi konfirmoi më herët se misioni i 14 ekspertëve do të vijojë pavarësisht përplasjeve të dhunshme të orëve të fundit në afërsi të centralit.
Sipas asaj që raportojnë mediat botërore, në orët e para të së enjtes janë dëgjuar shpërthime në afërsi të centralit, duke vënë në rrezik misionin e OKB-së. Kievi dhe Moska kanë lëshuar akuza të ndërsjella për autorësinë e sulmit, që u bë shkak për aktivizimin e alarmit në centralit atomik më të madh në Europë.
Ministria e Mbrojtjes Ruse akuzon Kievin për sulmin.
"Saboutes nga Ukraina kanë kërkuar të marrin centralin bërthamor. Ishin ushtarë që mbërritën me dy varka, por i eliminuam. 4 predha të rënda kanë shpërthyer shumë pranë centralit dhe sulmi i ukrainasve drejt centralit vijon prej mëngjesit të së enjtes”, tha në njoftimin e saj Ministria.
Por pretendimeve Ruse i është përgjigjur Kievi zyrtar, përmes Këshilltarit të Presidentit Zelenksy, Mikhailo Podolyak.
“Forcat Ruse janë bombarduar pa pushim qytetin e Energodar, ku ndodhet dhe impianit. Bombardimet nga ajri me helikopter po rrezikojnë impiantin. Rusia po tregon në mënyrë agresive, duke shkatërruar shtëpi dhe objekte të tjera, se nuk dëshiron që Agjencia Kombëtare e Energjisë Nukleare të vazhdojë misionin e saj. Rusia po tenton t’ja faturojë sulmet Ukrainës, pasi Moska ska ansjë interes në inspektimin e centralit ”, tha Podolyak.
Vetë Presidenti Zelenksy ka bërë thirrje përmes një video mesazhi të publikuar gjatë festivalit të Filmit në Venecia, që bota të mos e harrojë Ukrainën, duke paraqitur një listë me 358 fëmijë të vrarë që nga nisja e agresionit rus.
Rusia nga krahu tjetër ka nisur dhe një stërvitje ushtarake që do të zgjasë deri më 7 shtator përkrah Kinës. Ekspertët perëndimorë e kanë interpretuar si shfaqje demonstrative të forcës së vendit ish-sovjetik dhe mbështetësve të tij.
Karshi kërcënimeve që vijnë nga lindja, BE mori vendim që të pezullojë marrëveshjen për lehtësimin e vizave për rusët, si dhe të hartojë një plan mbështetje ushtarake të koordinuar për Kievin, por Moska reagoi menjëherë duke kërcënuar se Europa do të ketë pasoja, duke kujtuar furnizimin me gaz dhe pikërisht në një periudhë ku dimri po afron në Europë dhe kërkesa për gaz rritet.
Komente







