Shpërthimi i Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos është bërë më vdekjeprurësi në historinë e vendit, pasi numri i viktimave ka arritur në të paktën 2.325, duke kaluar bilancin e epidemisë së viteve 2018-2020.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik të Kongos, deri tani janë konfirmuar 4.945 raste, ndërsa vetëm në 24 orët e fundit u regjistruan edhe 101 të infektuar të rinj. Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se, nëse ritmi i përhapjes vazhdon, ky shpërthim mund të tejkalojë edhe epideminë e Afrikës Perëndimore të viteve 2014-2016, e cila mbetet më e madhja në histori me mbi 11 mijë viktima.
Epidemia ka prekur gjashtë provinca të vendit, me numrin më të madh të rasteve në Ituri, ku u identifikua edhe vatra e parë. Sipas OKB-së, virusi po përhapet me shpejtësi dhe aktualisht po shkakton mesatarisht një viktimë çdo 30 minuta.
Situata rëndohet edhe më shumë nga mungesa e një vaksine ose trajtimi të miratuar për variantin Bundibugyo të virusit Ebola, përgjegjës për shpërthimin aktual. Megjithatë, OBSH ka bërë të ditur se dy vaksina eksperimentale dhe trajtime të reja janë duke u testuar, ndërsa mbi 1.000 pacientë kanë arritur të shërohen.
Ekspertët thonë se një nga problemet më të mëdha mbetet fakti që shumë pacientë kërkojnë ndihmë mjekësore vetëm në fazat e fundit të sëmundjes. Sipas OBSH-së, mbi 70% e viktimave humbin jetën në komunitet dhe jo në qendrat shëndetësore, pasi shumë familje vazhdojnë të kenë frikë ose të mos u besojnë institucioneve shëndetësore.
Ebola transmetohet nga kafshët te njerëzit dhe më pas përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me gjakun ose lëngjet trupore të një personi të infektuar. Simptomat e para përfshijnë temperaturë të lartë, lodhje, dhimbje muskujsh dhe koke, ndërsa në fazat e mëvonshme mund të shfaqen të vjella, diarre dhe dëmtime të organeve të brendshme.








Komente
Komento