Një shqiptar është shpallur në kërkim nga autoritetet greke, pasi dyshohet se ka lidhje me shpërthimin e ndodhur më 21 tetor në lagjen Kolonos të Athinës, ku mbetën të plagosur katër persona, mes tyre dy efektivë policie.
Sipas mediave greke, ngjarja ndodhi pasi policia ndërhyri për të kontrolluar një çantë të dyshimtë, të raportuar nga banorët e një pallati. Gjatë kontrollit, njëri prej efektivëve dyshohet se aktivizoi aksidentalisht një mekanizëm shpërthyes, duke shkaktuar shpërthimin.
Si pasojë, dy civilë dhe dy policë mbetën të plagosur. Njëri prej efektivëve pësoi dëmtime të rënda në dorë dhe në sy.
Gjatë kontrollit të çantës, sipas raportimeve, u gjetën heroinë, një peshore dhe një pajisje shpërthyese artizanale me fuqi të ulët. Autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes dhe lidhjet e mundshme me aktivitetin e trafikut të drogës.
Sipas mediave greke, i dyshuari është një shqiptar që banonte me qira në të njëjtin pallat ku ndodhi shpërthimi. Ai dyshohet se u largua nga vendi i ngjarjes pas shpërthimit, duke lënë pas edhe telefonat e tij celularë.
Raportohet se shqiptari ishte dënuar në vitin 2008 për trafikimin e 100 gramëve kokainë dhe ishte liruar nga burgu në shtator. Sipas të njëjtave burime, ai dyshohet se u kthye më vonë në banesë për të marrë disa sende personale dhe më pas u largua.
Identiteti i plotë i tij nuk është bërë publik. Autoritetet greke vijojnë hetimet për të përcaktuar përfshirjen e mundshme të tij dhe rrethanat e sakta të shpërthimit.












Komente
Komento