ELBASAN- Dy persona humbën jetën nga shpërthimi i fuqishëm në pallatin pesëkatësh pasditen e së mërkurës në Elbasan. Hamit Ibro, 69 vjeç, është viktima e dytë, trupi i të cilit u gjet nën rrënoja rreth orës 00:40, pas orësh të gjata kërkimesh.
Ai rezultonte i zhdukur që prej momentit të shpërthimit, ndërsa ekipet e emergjencës vijuan për orë të tëra kërkimet. Policia zyrtarisht tha se dyshohet se shkak i shpërthimit u bë rrjedhja e gazit në banesën Ibrot, në katin e tretë në lagjen “Qemal Stafa”.
“Paraprakisht dyshohet se shpërthimi dhe më pas zjarri janë shkaktuar nga prania e tepërt e gazit në banesën e 69-vjeçarit”, tha Policia.
Nga forca goditëse e shpërthimit u shkatërrua një pjesë e strukturës së godinës, aq sa disa kate u shembën mbi njëri-tjetrin.
Hatixhe Berisha, 82 vjeçe, e cila jetonte një kat mbi apartamentin ku nisi zjarri, nuk arriti të dilte. Ajo u nxor e pajetë nga ballkoni me shkallët e jashtme të zjarrfikësve. Dhjetë banorë, mes tyre një fëmijë, morën ndihmë mjekësore për shkak të tymit dhe, sipas policisë, janë larguar nga spitali.
Mure të shembura, tulla, beton dhe xhama të thyer. Kjo është panorama e pallatit një ditë pas shpërthimit. Mes rrënojave shihen orendi dhe objekte të djegura, ndërsa në zonë vijojnë të qëndrojnë zjarrfikësit dhe policia.
Banorët e kaluan natën te të afërmit ose në konviktet e studentëve në Elbasan. Kryebashkiaku Gledian Llatja tha pas mesnate se të gjitha familjet janë evakuuar. Për vlerësimin e dëmeve dhe sigurinë e godinës pritet verifikimi nga specialistët e Institutit të Ndërtimit.
“Sipas vlerësimeve paraprake të inxhinierëve, njëri prej sektorëve është bërë i pabanueshëm, por problematika strukturore janë konstatuar edhe në pjesën tjetër të pallatit”, tha Gledian Llatja.
Pallati pesëkatësh është ndërtuar në vitet ’70–’80. Në të banonin 15 familje, tri prej të cilave ndodhen në emigrim.
Një ditë pas shpërthimit të fuqishëm në pallatin pesëkatësh në Elbasan që u mori jetën dy banorëve, në vendngjarje kanë mbërritur ekspertët e Institutit të Ndërtimit për të kryer vlerësimin teknik të godinës.
Specialistët do të inspektojnë strukturën e pallatit për të përcaktuar shkallën e dëmtimeve dhe nivelin e qëndrueshmërisë së tij.

Policia e Elbasanit thotë se shkak i shpërthimit të fuqishëm në pallatin në Elbasan, që shkaktoi 2 viktima, është bërë rrjedhja e gazit në banesën e 69-vjeçarit Hamit Ibro. Ky i fundit u gjet mes rrënojash pas orësh kërkime. Policia thotë se rrjedhja e gazit ka qenë shkak edhe për shpërthimin e fuqishëm në pallat, që shembi totalisht 2 kate të pallatit dhe e bëri atë të pabanueshëm. 10 persona u lënduan dhe shkuan në spital, ndërsa përveç pronarit të banesës, humbi jetën edhe 82-vjeçarja Hatixhe Berisha.
“Në vijim të informacionit të dhënë dje, për zjarrin në katin e tretë të pallatit në lagjen “Qemal Stafa”, informojmë se pas disa orësh kërkimesh intensive, nga Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcave të Armatosura, të Emergjencave Civile dhe Zjarrfikësit, u gjet, rreth orës 00:40, trupi i pajetë i pronarit të banesës ku ra zjarri, shtetasit H. I., 69 vjeç.
Si pasojë, humbi jetën në vendngjarje shtetasja H. B., 82 vjeçe. Gjithashtu, u dëmtuan 10 banorë në të njëjtin pallat, të cilët morën asistencë mjekësore dhe u larguan nga ambientet e spitalit, si dhe pati dëme të shumta materiale.
Nga veprimet paraprake të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me ekspertët xhenierë të RENEA-s dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, paraprakisht dyshohet se shpërthimi dhe më pas zjarri janë shkaktuar nga prania e tepërt e gazit në banesën e 69-vjeçarit.
Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon këqyrjen në vendin e ngjarjes dhe veprimet e tjera hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të shpërthimit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për vlerësim”, njofton Policia.
Mure të shembura, tulla, beton dhe xhama të thyer, kjo është panorama e pallatit pesëkatësh në Elbasan një ditë pas shpërthimit të fuqishëm.
Lagjja ku ndodhi ngjarja e rëndë është kapluar nga heshtja, teksa në zonë ndodhet shërbimi zjarrfikës dhe uniformat blu.
Nga pamjet që Report Tv sjell mëngjesin e sotëm në mesin e rrënojave shihen edhe orendi dhe objekte të djegura si pasojë e zjarrit që u përhap me shpejtësi në gjysmën e godinës.
Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja ka dhënë detaje pas mesnate mbi situatën në apartamentin e përfshirë nga zjarri në Elbasan ku një pjesë e godinës pësoi dëmtime të rënda strukturore.
Llatja tha se një pjesë e banorëve janë strehuar te të afërmit dhe të tjerët në konviktet e studentëve në Elbasan.
Për vlerësimin e dëmeve dhe sigurinë e godinës pritet edhe ndërhyrja e specialistëve të Institutit të Ndërtimit.
“Zjarri është fikur. Aktualisht, të gjitha familjet janë evakuuar dhe nuk ka asnjë familje në pallat. Pjesa më e madhe e banorëve janë strehuar te të afërmit, ndërsa pjesa tjetër në konviktet e studentëve në Elbasan.
Pritet që në terren të mbërrijnë edhe strukturat e Institutit të Ndërtimit për të verifikuar gjendjen e strukturës së pallatit në tërësi. Sipas vlerësimeve paraprake të inxhinierëve, njëri prej sektorëve është bërë i pabanueshëm, por problematika strukturore janë konstatuar edhe në pjesën tjetër të pallatit.”- u shpreh Llatja.








Komente
Komento