Para pak kohësh, në ekranin e RTSH-së u shfaq filmi televiziv “Rrokullisje”, prodhim i këtij televizioni. Me ide dhe skenar të Leka Bungos, ky film trajtonte një nga skandalet më të mëdha financiare të ndodhura në Shqipëri, një nga mashtrimet më të mëdha financiare, ndoshta në historinë e saj: fajdet. Me një gjuhë satirike, ky prodhim i RTSH-së sjell me një realizëm të theksuar atë çfarë ka ndodhur në një të kaluar jo fort të largët, por që bëhet edhe më e afërt për shkak të pasojave dhe emocioneve të forta negative që prodhoi në të gjithë popullsinë. Sepse disa të vërteta të hidhura e të dhimbshme është mirë të kujtohen, pasi, nëse ato harrohen, atëhere mundësia e përsëritjes së tyre është e madhe.

Edhe pse krijimi i piramidave financiare, pak pas vitit 1990, ishte një superskandal financiar, që iu zhvati qytetarëve të thjeshtë rreth 1.2 miliardë dollarë, edhe pse këto piramida ishin një nga mënyrat e instalimit të kapitalizmit grabitqar shqiptar, sërish nuk ka ekzistuar vëmëndja e duhur për t’i hetuar më tej ato dhe personat e lidhur me to dhe që kanë përfituar prej tyre. Ndaj, në këtë pikëpamje, filmi “Rrokullisje” është një kontribut me vlerë, që rikthen edhe një herë në vëmëndje atë realitet të hidhur.

Por, nga ana tjetër, ky film është edhe një autokritikë që bën RTSH-ja për rolin që ka luajturatëhere në promovimin e skemave piramidale financiare si biznese të suksesshme dhe atë të krijuesve të tyre si biznesmenë të suksesshëm dhe gjenialë. Mjafton vetëm epilogu i çdo serie të filmit, me kronika reale, të nxjerra nga arkivi i RTSH-së, herë me personazh kryesor Vehbi Alimuçajn, herë Pëllumb Shehajn e herë Fitim Kërxhaliun, për të mos patur dyshime për këtë.

Kush i mendon skemat e dikurshme financiare, me përmasat gjigande që arritën, vetëm si nisma aventuriere të disa personave pa asnjë nivel, do të thotë se ende nuk ka kuptuar asgjë. Sepse piramidat e dikurshme, vërtet mund të kenë lindur si ide mashtruese të atyre personave, që i themeluan ato, por kurrë nuk do të arrinin në ato përmasa që arritën, nëse nuk do ishin përfshirë një numur aktorësh në to, të cilët “injektuan” tek popullata besimin e verbër se po realizonin një investim të mirë në “kompani serioze”. Çfarë mund të bënte qytetari i thjeshtë, qytetari i zakonshëm, i sapodalë nga një regjim diktatorial, kur qeveria e kohës nuk reagonte, por, përkundrazi, i lejonte lirisht të kryenin aktivitetin e tyre mashtrues?! Si mund të mos gënjehej qytetari i thjeshtë, kur thuajse në çdo emision qendror të lajmeve në RTSH kishte patjetër një apo dy kronika “suksesi” me këta “pionierë të kapitalizmit shqiptar”?! Kur gazetat më të rëndësishme të vendit vraponin të reklamonin përqindjet e këtyre kompanive?! Si mund të mos mashtroheshin njerëzit e thjeshtë që shitën shtëpi e lopë për të futur lekët kundrejt përqindjeve të larta gjoja të fitimit, kur asnjë zë intelektuali ekonomist nuk u ngrit kundër tyre, çka do të sensibilozonte grupe të caktuara shoqërore të mos e bënin veprimin më të çmendur të jetës së tyre?!

Mekanizmi i artë i suksesit të këtyre skemave financiare ishte përhapja e reklamës mashtruese, nëpërmjet së cilës synohej të krijohej iliuzioni se ato janë kompani të forta, kompani që kërkojnë ekspansionin. Mirëpo diçka e tillë nuk mund të përhapej gjërësisht pa kontributin e medias. Dhe, në harkun kohor 1995-1997, RTSH ishte media thuajse e vetme televizive në vend. Ja pra, pse ajo, në atë kohë, ishte pjesë e problemit dhe arsyeja pse sot filmi “Rrokullisje” duket si reflektim dhe autokritikë e saj.

Në atë periudhë punoja si redaktor i ekonomisë në gazetën “Rilindja Demokratike”, çka më krijoi mundësinë e një takimi me ish-presidentin e asaj kohe, Sali Berisha. E shfrytëzova rastin për t’i bërë një apel rreth “disa strukturave financiare, që mbledhin një thes me para nga populli dhe, po nuk iu tha kush gjë, do të vazhdojnë të mbushin të dytin”. “Nëse sërish nuk do t’iu thotë kush gjë, do të vazhdojnë të mbushin të tretin, e kështu me radhë. Kur të kujtoheni ju të reagoni, mund të ndodhë hataja” - i thashë presidentit. Ai la çdo punë dhe tregoi interes për çfarë po i thoja, ndërkohë që më pyeti: e çfarë mendon ti që mund të bëhet? Disa gjëra mund të bëhen, por më urgjentja është ndërprerja e reklamës mashtruese sistematike në televizionin shtetëror – i thashë. Ishte viti 1995 dhe RTSH-ja e vazhdoi sërish ritualin e saj të promovimit të skemave piramidale dhe krerëve të saj, derisa këto skema plasën, pasi kryen ciklin e tyre.

E, pasi ndodhi kjo, RTSH-së së atëhershme nuk i mbeti gjë tjetër veçse të bënte kronika për pasojat e dhimbshme të piramidave, shkak i të cilave kishte qenë edhe vetë.

logo be

Redaksia Online
A.Gj/Shqiptarja.com