Nga ora 18:00 e pasdites së djeshme ushtria vijon operacionin në autostradën Tiranë-Durrës për të shpëtuar qytetarët që janë bllokuar pas përmbytjes së aksit. Operacioni i shpëtimit po realizohet nga ushtria me gomone, pasi është e pamundur ndërhyrja me mjete të tjera. Ndërhyrja është e vështirë, pasi energjia është ndërprerë, ndërsa qindra makina kanë bllokuar aksin.

Gjithashtu operacioni është shtrirë edhe në qendrën tregtare të City Park, ku ndodhen një numër i madh personash të bllokuar, ndërsa deri në orën 02:45 janë shpëtuar 16 persona. Kati i parë është përmbytur dhe uji arrin deri në 170 cm, ndërsa njerëzit janë ngjitur në katet e sipërme të godinës duke pritur shpëtimin nga ushtria.

Janë rreth 100 persona të cilët janë të bllokuar në qendrën tregtare “City Park”, ndërsa janë në proces evakuimi. Ushtria shqiptare disponon 10 gomone, të cilat janë të gjithë në përdorim në terren për t’u ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve të prekur, sidomos në zonat më problematike të Kamzës, Vorës dhe Fushë Krujës.

[gallery]24973[/gallery]

Situata e fundit në të gjithë vendin nga përmbytjet nga Kryeministria
Gjendja nga përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet vijon të jetë shumë e rënduar. Në Fushë Krujë, Kurbin, Vorë, Marikaj dhe Mamurras ajo paraqitet më e vështirë. Aktualisht po vijon puna për evakuimin e personave të rrezikuar.

Të gjitha strukturat e shtetit, Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, Emergjencat Civile, punonjësit heroikë të OSHEE, ata të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, Prefekturat, Bashkitë, Ministrat, Prefektët, etj., janë në krye të detyrës në aktivitet të plotë për përballimin e situatës së vështirë.

I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të ndjekin kërkesat e bëra publike më parë në lidhje me sigurinë e tyre dhe bashkëpunimin me autoritetet. Ruajtja e jetës është prioriteti numër një i momentit.

I bëjmë thirrje publike edhe disa kryetarëve të bashkive, sidomos atyre që janë të prekura rëndë nga situata si Vora dhe Kamza, që të paraqiten urgjentisht në krye të detyrës dhe të marrin përsipër përgjegjësitë që u ngarkon ligji në mbrojtje të jetës së qytetarëve.

I bëjmë thirrje edhe gjithë qytetarëve dhe bizneseve që të bashkëpunojnë me shtabet e emergjencave për të ofruar mundësi akomodimi për personat e evakuuar.

Siguria e jetës                      
Një elektricist i OSHEE humbi jetën gjatë punës në Fier dhe 3 janë plagosur në Shkodër. Janë evakuuar 39 familje në rang vendi dhe në proces evakuimi 100 persona nga qendra tregtare “City Park” si dhe disa familje në Fushë Krujë.

Rrugët                       
Kryesisht të lira. Janë bllokuar Autostrada Tiranë-Durrës, aksi Durrës-Kavajë, Gjirokastër-Lunxhëri dhe në disa rrugë dytësore. Të bllokuara nga bora Rruga Bogë-Theth në Qafën e Thorës. Rrëshqitje dheu në rrugën Tiranë-Ndroq. Prezencë uji në aksin kombëtar Mjedë-Shkodër.

Energjia elektrike               
Janë pa energji 71.000 abonentë dhe nuk janë në funksionon 60 fidera.

Banesat
Janë përmbytur 18 banesa në rang vendi dhe po punohet për shmangien e dëmtimit të shumë të tjerave.

Aeroporti               
Janë ndërprerë fluturimet ​

Redaksia Online
dy.b/J.Sh Shqiptarja.com