Piktura e Lepenicës, një nga veprat më të rralla të arkeologjisë prehistorike prej vitesh ishe lënë në harresë, ku njerëz të papërgjegjshëm kishin nisur ta dëmtonin. Kjo pikturë gjendet në një strehë shpelle në shpatin verilindor të malit Lepenicë, në rrethin e Vlorës. E ndodhur në një lartësi rreth 800 m mbi nivelin e detit kjo shpellë nga vendasit njihet si “Shpella e shkruar”. Një nga arkeologët më të njohur Myzafer Korkuti, që është marrë kryesisht me studimin e këtyre pikturave, ka ngritur zërin në një intervistë të mëparshme në “Shqiptarja.com” për dëmtimin e pikturave të ngjyrosura, por edhe të gdhendjeve në shkëmbinjtë tempullorë të prehistorisë. Shpesh herë grafikat ishin dhunuar me mbishkrime banale të njerëzve të rastit.
Këto ditë Drejtoria Rajonale e Monumenteve në Vlorë njofton se shkëmbinjtë e rrallë arkeologjikë janë marrë nën mbrojtje. Sipas këtij institucioni “Për të eksploruar mundësinë e konservimit shkencor të sitit dhe rikuperimin e atyre pjesëve të dëmtuara në mënyrë që të rritet shikueshmëria e figurave të pikturës, Instituti i Arkeologjisë së Tiranës, Shkolla e Lartë Escola e Conservimit dhe Restaurimit de BBCC de Galicia dhe Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë, po bashkëpunojnë në projektin kërkimor shkencor: ”Lepenica, 2019″, dokumentimi dhe vëzhgimi arkeologjik në një strehë me art shkëmbor parahistorik (Shpella e Shkruar, Lepenica), miratuar nga K.K.A me vendim nr. 63, datë 18.03.2019.”
Arkeologu Myzafer Korkuti gjatë studimit të kësaj pikture shkruan për karaketristikat e monumenti arkeologjik.
“Ajo është realizuar në tavanin e strehës së shkëmbit, e lartë 3,5 metra, mbi një sipërfaqe të sheshtë të ndarë në dy plane. Në planin përballë (vertikal) janë vizatuar katër figura antopomorfe, të cilat janë realizuar grafikisht shumë mirë. Format e figurave njerëzore janë të bëra me vija të trasha dhe ndryshojnë nga njëra-tjetra nga pozicioni i trupit e mënyra e paraqitjes grafike të gjymtyrëve. Trupi është paraqitur me një vijë të trashë e të shkurtër. Edhe qafa me kokën janë dhënë si një vazhdim i linjës së trupit. Në hapësirën që krijohet midis katër gjymtyrëve është vizatuar nga një pikë. Gjatësia e figurave është 15-18 cm. Në planin horizontal (tavanin e strehës) janë vizatuar 15 figura antropomorfe me të njëjtën paraqitje grafike, të shpërndara pa ndonjë rregull, në të gjithë sipërfaqen prej 2,4m x 1,4m. Në katër anët e figurave antropomorfe janë vizatuar 9 figura të çrregullta gjeometrike, të ndara secila në kuadrate të vegjël me një pike në mes të çdo ndarjeje. Të gjitha figurat janë bërë me vija të trashë, me bojë minerale në ngjyrë kafe të çelët, të ruajtura mirë. Në pikëpamje të paraqitjes grafike figurat antropomorfe të Lepenicës kanë ngjashmëri të madhe me figurat antropomorfe të pikturës shkëmbore të Zhlijebit (në Bosnjën Lindore), si dhe me ato të artit shkëmbor perëndimor, e para së gjithash me ato të Valcamonica-s në krahinën e Brescia-s (Itali).”, shkruan Korkuti
Sipas Korkutit piktura e Lepenicës pasqyron stadin e zhvillimit shoqëror të kohës, shprehjen e koncepteve të krijuesve të saj. Në të gjitha tiparet që e karakterizojnë, ajo bën pjesë në grupin e pikturave shkëmbore post paleolitike. Me shumë gjasa piktura e Lepenicës është një krijim i banorëve të kësaj lugine gjatë mijëvjeçarit të katërt e të tretë para erës së re.
Projekti për mbrojtjen e pikturës ë Lepenicës synon ridokumentimin sipas metodave bashkëkohore, si dhe vëzhgimin arkeologjik në territorin përreth. Produkt i rëndësishëm i këtij projekti do të jetë edhe hartimi i dosjes për ta shpallur këtë sit të rëndësishëm monument kulture.