Sipas vendimit në fjalë vlera e shpenzimeve të shpronësimeve do të jetë 1 303 800 lekë e cila do të mbulohet nga buxheti i shtetit i vitit 2014.
Më poshtë vendimi i plotë:
VENDIM PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, KULTURA BUJQËSORE DHE DRU FRUTORË, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “UNAZA LINDORE SHKODËR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5/1, 20 dhe 21, të ligjit nr.8561, date 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private, për interes publik”, si dhe në mbështetje të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, kultura bujqësore dhe drurë frutorë, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Unaza lindore Shkodër”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për kultura bujqësore, dru frutorë, me vlerë 1 303 800 (një milion e treqind e tre mijë e tetëqind) lekë.
4. Shpenzimet procedurale, në vlerën 925 000 (nëntëqind e njëzet e pesë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, 1 303 800 (një milion e treqind e tre mijë e tetëqind) lekë, të përballohet nga buxheti i vitit 2014, zëri “Detyrimet e prapambetura (detyrimet e infrastrukturës)”.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 5, të këtij vendimi.
7. Pronarët e listës që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZRPP-ja”, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
8. Pronarët e përmendur në listën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Proces regjistrimi”, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
9. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë likuidimin e pronarëve, për efekt shpronësimi, sipas përcaktimeve në pikat 5, 6, 7 dhe 8, të këtij vendimi dhe në bazë të dokumentacionit të pronësisë.
10. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)