Shpronësimet për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve në Vlorë

Qeveria ka marrë vendim për të shpronësuar të gjithë ata që preken nga ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve në Vlorë. Fondi prej 198 570 mijë lekësh të rinj do të përballohet nga buxheti i vitit 2015 dhe një pjesë tjetër nga buxheti i vitit 2016, zëri "kosto lokale".
 
Në mbledhjen e së hënës të këshillit të ministrave u vendos gjithashtu edhe për ndryshimin e vlerës së shpronësimeve për ndërtimet që preken nda ndërtimi i rrugës Transballkanike në Vlorë nga 582 942 635.82 në  582 288 595.82. 
 
 Vendimet
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA “NDËRTIMI I RRJETIT TË KANALIZIMEVE TË VLORËS, FAZA 2, IPA 2012”
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga “Ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve të Vlorës faza 2, IPA 2012”.
 
2. Shpronësimi bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës - Kanalizimeve.
 
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për tokë “truall”, me sipërfaqe 30 (tridhjetë) m2 dhe vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 198 570 (njëqind e nëntëdhjetë e tetë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë) lekësh.
 
4. Vlera përgjithshme e shpronësimit, prej 198 570 (njëqind e nëntëdhjetë e tetë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë) lekësh, të përballohet, si më poshtë vijon:
 
-  Vlera 30 000 (tridhjetë mijë) lekë, nga buxheti i vitit 2015, zëri “Kosto lokale”, me kod (M063148).
     -   Pjesa tjetër e vlerës, nga buxheti vitit 2016, zëri “Kosto lokale”.
 
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës - Kanalizimeve.
 
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
 
7. Pronarët e pasurive që përmenden në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP-ja”, “Vërtetim hipotekor”, “Certifikatë  pronësie”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë, që do të dorëzojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës - Kanalizimeve. 
 
8. Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës - Kanalizimeve të kryejë likuidimet, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6 dhe 7, të këtij vendimi.
 
9. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës - Kanalizimeve, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, që do t’u vihet në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës - Kanalizimeve dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi  i  kalimit  të pronësisë  për  pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
 
10. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së trupit të rrugës mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
 
11. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës - Kanalizimeve, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e  Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.
 
           Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
  
 
 
 
 
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.54, DATË 21.1.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE  TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I OBJEKTIT “STUDIM, PROJEKTIM, LIDHJA E RRUGËS TRANSBALLKANIKE ME SUPERSTRADËN FIER - VLORË”,  TË NDRYSHUAR
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
Në vendimin nr.54, datë 21.1.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon: 
1. Në pikat 3 dhe 4, vlera 582 942 635.82 (pesëqind e tetëdhjetë e dy milionë e nëntëqind e dyzet e dy mijë e gjashtëqind e tridhjetë e pesë pikë tetëdhjetë e dy) lekë, ndryshon dhe bëhet 582 288 595.82 (pesëqind e tetëdhjetë e dy milionë e dyqind e tetëdhjetë e tetë mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e pesë pikë tetëdhjetë e dy) lekë. 
 
2. Në tabelën bashkëlidhur vendimit bëhen ndryshimet në numrat rendorë përkatës, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarja në Pogradec, jeni dakord me akuzën si vrasje nga pakujdesia?



×

Lajmi i fundit

Ja përse çanta nuk duhet lënë në tokë