Shqetësohen banorët e Lituanisë nga agresioni rus në Ukrainë

Shqetësohen banorët e Lituanisë nga agresioni rus në Ukrainë

Lituania, një vend që ndjehet i kërcënuar nga Rusia, ka paralajmëruar prej disa dekadash për mundësinë e agresionit rus ndaj fqinjëve të saj. Tani lituanezët janë të shqetësuar se ajo që po ndodh në Ukrainë mund të ndodhë edhe në Lituani. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Ricardo Marquina njofton nga kryeqyteti i Lituanisë, Vilnius, se banorët e Lituanisë po vazhdojnë përpjekjet për të mbështetur vendin e tyre.

Në periferi të Vilniusit, vullnetarët mblidhen për të ndërtuar soba nga rrotat e vjetra të makinave.

Këto soba portative do të dërgohen drejt Ukrainës, ku do të ofrojnë mbështetje thelbësore në javët e fundit të dimrit.

“Pesëdhjetë për qind e sobave do t’u jepen ushtrisë dhe pjesa tjetër njerëzve që kanë humbur shtëpitë e tyre, ose atyre që tani po jetojnë në bodrume dhe stalla”, thotë vullnetari Viaceslavas Mickevicius.

Këta vullnetarë që punojnë në kohën e tyre të lirë, me mjetet e tyre dhe financojnë dërgimin e sobave në Ukrainë, janë vetëm një shembull i gatishmërisë së Lituanisë për të vazhduar mbështetjen për Ukrainën, një vit pas fillimit të luftës.

Ndihma e drejtpërdrejtë e Lituanisë për Kievin ka arritur në më shumë se 700 milionë dollarë, nga të cilat 257 milionë dollarë kanë qenë ndihmë ushtarake.

OKB-ja thotë se 75 mijë ukrainas jetojnë aktualisht në Lituani, e cila u ka siguruar banesa shumicës së refugjatëve. Qeveria e Lituanisë po nxit programin e ndihmës për refugjatët, duke e quajtur atë një përpjekje mbarëkombëtare.

“Në fakt, njerëzit po bëjnë atë që munden çdo ditë, si hapja e shtëpive për refugjatët e luftës dhe dhënia e parave për blerjen e një droni ‘Bayraktar’ për Ukrainën, një gjë që Lituania ishte e para që e bëri”, thotë kryetarja e parlamentit të Lituanisë, Viktorija Čmilyte-Nielsen.

Lituania ka një ekonomi me të ardhura mesatare, të ngjashme me ato në të partnerëve të saj të BE-së, si Spanja apo Portugalia, duke ofruar mundësi për një grup refugjatësh më të prirur për të kërkuar punë se sa për t’u varur nga ndihmat.

Kjo, thonë vëzhguesit, i ka ndihmuar lituanezët që të vazhdojnë ndihmën ndërsa lufta në Ukrainë tashmë ka hyrë në vitin e saj të dytë. Një faktor tjetër lehtësues është se shumë ukrainas flasin rusisht.

“Mendoj se përgjigja lituaneze si në aspektin shoqëror ashtu edhe në atë organizativ është shumë e mirëpritur. Pra, edhe për të gjetur një punë, mendoj se deri më tani, për ukrainasit ka qenë e lehtë sepse ata flasin gjuhën ruse, shumë njerëz këtu e flasin edhe rusishten”, thotë Urte Petrulyte nga Organizata e Maltës për Ndihmat.

Edhe veprat e artit nga Ukraina kanë gjetur strehë në Lituani. Kievi ka dërguar në muzetë e Lituanisë vepra të shumta arti për t'i shpëtuar bombardimeve dhe plaçkitjeve ruse, siç ndodhi me ato në Muzeun e Khersonit.

“Kur ukrainasit u kthyen, mësuan se në Muzeun Kombëtar të Khersonit nuk kishte asnjë pikturë! Ata vodhën gjithçka!”, thotë gazetari Edmundas Jakilaitis.

Vepra të tjera të artistëve ukrainas po ruhen gjithashtu në Lituani.

“Ne kemi njëzet ikona të pikturuara në kutitë e plumbave. A mund ta imagjinoni këtë?” thotë Arunas Gelunas nga Muzeu Kombëtar i Artit Lituanez.

Një vit tmerri në konfliktin më të rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, që tashmë ka hyrë në vitin e tij të dytë. Por në rrugët e Lituanisë, ende nuk ka asnjë shenjë lodhjeje./VOA

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kickbox/ Skandal në Malin e Zi, arbitri godet me trofe në fytyrë trajnerin kosovar (Video)

Kickbox/ Skandal në Malin e Zi, arbitri godet me trofe në fytyrë trajnerin kosovar (Video)