TIRANE- Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe Komiteti Olimpik i Kosovës firmosën një marrëveshje që do të shtojë urat e bashkëpunimit mes dy vendeve në të ardhmen në fushën e sportit, duke vazhduar në rrugën e shumë projekteve politike që janë linçuar nga dy qeveritë.

Në takimin e organizuar me rastin e firmosje së marrëveshjes në Tiranë, të pranishëm kanë qenë dy presidentët Viron Bezhani dhe Besim Hasani por edhe përfaqësuesit e Drejtorisë së Sporteve të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve të Kosovës e Federatave sportive dhe Komitetit Paraolimpik të Kosovës.

Objektivi i bashkëpunimit mes dy vendeve në nivelin e komiteteve olimpike do të jetë shkëmbimi i eksperiencave, trajnimet e përbashkëta për sportistët e talentuar si dhe aplikimi i programeve të Edukimit Olimpik të trajnerëve.

Bashkëpunimi institucional midis dy Komiteteve Olimpike do të shërbejë ne krijimin e kushteve dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore përgjatë rrugës se procesit të njohjes së Kosovës nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtare.

Në fund të firmosjes së marrëveshjes mes dy palëve, presidentët e dy komiteteve olimpike në prononcimet për mediat janë angazhuar maksimalisht për bashkëpunimin me qëllim çuarjen përpara të sportit të Shqipërisë dhe Kosovës, e cila pretendon edhe njohjen nga arena ndërkombëtare në sport për t’u përfaqësuar me ngjyrat e saj.

Shkrimi u publikua sot (1.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)