Shqipëria dhe rankimi negativ universita

Shqipëria dhe rankimi negativ universita
Ditët e fundit u publikua rankimi i përvitshëm universitar në nivel global. Të dhënat, sado të diskutueshme për saktësinë dhe kriteret e diferencimit, japin një tablo të plotë për rankimin universitar, numrin e universiteteve për çdo vend dhe raportet midis universiteteve publike e private. Lajmi me interes për publikun dhe shtetin shqiptar nuk është dominimi i pritshëm i universiteteve amerikane (siç e komentoi pjesa më e madhe e medias) dhe as diferenca e ngushtë midis universiteteve shqipfolëse (siç komentoi pjesa tjetër), por situate alarmante në hapësirën shqiptare, rajonale e më gjerë e sistemit universitar shqiptar. E konsideruar si një nga
reformat më të suksesshme të qeverisë, reforma e liberalizimit dhe masivizimit universitar ka prodhuar atë të cilën të gjithë i frikësoheshim: një sistem defektoz,
të dështuar, pa cilësi dhe pa aftësi konkurruese brenda vetes dhe në raport me tregjet rajonale e globale. Shifrat flasin vetë. Numërimi për universitetet shqiptare nis me vendin 7299 dhe mbaron me shifrën 20634, duke mbetur pas edhe dy universiteteve të Koresë së Veriut, një vend stalinist pa ndarje midis shkencës e propagandës.Nëse merren 10 mijë vendet e para në rankim brenda këtij kufiri Shqipëria ka vetëm 2 nga 38 universitete, Maqedonia 9 nga 18 universitete, Bosnja 14 nga 74 universitete, Mali i Zi 2 nga 6 universitete, Kosova 2 nga 7 universitete, Sllovenia 11 nga 39 universitete, Kroacia 19 nga 25 universitete, Rumania 65 nga 111 universitete, Bullgaria 37 nga 58 universitete. Siç shihet, rankimin më të lartë rajonal në 10 mijë vendet e para e ka Kroacia me 75% të universiteteve, ndjekur nga Rumania me 60%, Bullgaria 56%, Maqedonia 50%, Mali i Zi me 33%, Sllovenia e Kosova me nga 28%, Bosnja me 18% dhe në fund, Shqipëria me vetëm 5%. Mjafton ky rankim për të parë se politikat arsimore në Shqipëri mbeten një nga dështimet më të mëdha dhe njëherësh, një nga defektet më afatgjata në funksionimin e shoqërisë, sistemit politik, sistemit qeverisës dhe formësimit të kulturës politike e profesionale.
Aspekti i dytë problematik është nxjerrja në pah e absurdit shqiptar të masivizimit universitar, si një politikë degraduese për të gjithë sistemin. Megjithëse me popullsi disa milionë më pak sesa Kroacia apo Serbia, Shqipëria ka përkatësisht 13 dhe 6 universitete më shumë sesa këto vende. Raporti universitet - banorë për Shqipërinë shkon 1-84 mijë banorë (nëse merret parasysh se rreth një milion janë në emigracion ky raport saktësisht do të ishte 1 universitet për 55 mijë banorë), ndërkohë që në vende lider në arsim si Gjermania apo Britania e Madhe ky raport është 1 universitet për 200 mijë banorë, në Itali 1 universitet për 212 mijë banorë, etj. Në rajonin tonë raportet e një universiteti për banorë shkojnë nga 127 mijë banorë në Bullgari, 224 mijë në Serbi, 172 mijë në Kroaci, 111 mijë në Maqedoni, 189 mijë në Rumani, 105 mijë në Malin e Zi, 242 mijë në Kosovë, etj, pra në secilin vend të mësipërm shumëfish më shumë banorë për universitet sesa Shqipëria. Edhe nëse krahasimi bëhet me Kilin, vend nga qeveria mori modelin e masivizimit universitar, raporti banorë - universitet është: 1 për 215 mijë banorë dhe se ky vend ka 6 universitete në rakimin e 1000 universiteteve më të mira në botë, dhe 55 nga 81 universitete në 10 mijë vendet e para, pra një standard shumëfish të ndryshëm nga modeli imitues shqiptar. Të gjithë kemi parë sesi një qeveri sa humbi zgjedhjet, ditën tjetër miratoi 3-4 universitete edhe në qytete ku nuk kishte ndërtesë as staf akademik, siç shohim sot se pala pasuese politike ka lejuar të hapen universitete edhe në qytete ku nuk ka asnjë librari jo më personal për mësim apo shanse kualifikimi. Mjaftojnë këto të dhëna për të dëshmuar se politika e masivizimit arsimor në modelin shqiptar shkon në drejtim të kundërt me treguesit demografikë dhe nevojat e vendit, me cilësinë dhe hapësirat e tregut për punësim.
Aspekti i tretë i analizës rankuese lidhet me raportet midis universiteteve shtetërore e private. Referuar vendeve rajonale universitetet publike kanë rol dominues: universiteti publik në në Slloveni ka renditjen më të lartë në vendin 106, ndjekur nga ai në Kroaci në vendin 221, në Serbi 547, në Rumani 601, në Bullgari 748, në Maqedoni 1246, në Bosnje 1271, në Kosovë 3387, në Malin e Zi 6957 dhe në fund, gjithnjë në fund, universiteti publik shqiptar me numër rendor 8735. Universiteti i Tiranës është dy herë më larg në rankim sesa universiteti i Prishtinës dhe se pas universitetit tashmë të njohur për shitje fiktive diplomash ndodhen të paktën katër universitete të tjera publike. Rankimi kaq i ulët i universiteteve shtetërore, të cilat financohen nga shteti, gëzojnë mjedise dhe bazë të pafundshme materiale dhe trashëgojnë personel e traditë gati gjysmëshekullore, përbën një element tjetër kritik për gjendjen alarmuese të sistemit universitar në Shqipëri. Politikat promovuese selektive të qeverive në favor të ndonjë privati, nxitur nga interesa biznesi apo elektorale, si dhe faktorë të tjerë frenues të konkurrencës profesionale e kërkimit shkencor, kanë ndikuar në rënien e peshës së universiteteve publike. Nga ana tjetër, rankimi për universitetet private mbetet edhe më alarmues. Nivel disi të lartë kanë vetëm ndonjë universitet me sponsorizim të dukshëm shtetëror e politik, ndërkohë që dy nga universitetet shqiptare private me renditje të lartë janë kryesisht projekte të huaja (Epoka dhe SEEU). Bilanci bëhet edhe më alarmant kur merret parasysh fakti se kur flitet për universitete private shqiptare nuk ka e nuk mund të ketë ngjashmëri me universitetet private të modelit jofitimprurës amerikan dhe britanik. Këto të fundit janë dije dhe më pas biznes, kurse universitetet private shqiptare janë biznes dhe më pas dije.
Aspekti i katërt lidhet me thelbin e rankimit: ai nuk hedh poshtë vetëm bilancin statistikor të produktit akademik shqiptar por edhe brendësinë e tij, efikasitetin dhe cilësinë e sistemit arsimor parauniversitar, punën e institucioneve kërkimore, si dhe imazhin elitar dhe intelektual të një pjese të madhe të stafeve akademike. Duke pranuar se sistemi aktual arsimor është i dështuar pranohet se cenohet dhe komprometohet edhe roli i elitave universitare dhe arsimore, të cilat për shkak të rrethanave të tregut janë të detyruar të pranojnë një sistem fiktiv vlerash që dirigjohet prej atyre që arsimin e shohin si biznes parash ose si turmë elektorale. Individë që jashtë Shqipërisë janë hedhur në gjyq për plagjiaturë dhe vjedhje të punimeve shkencore sot janë në krye të kontrollit të cilësisë dhe programeve universitare; të tjerë zyrtarë që kanë monopolin personal në tekstet mësimore janë sot drejtues të politikës shtetërore arsimore, siç kemi pronarë shkollash e universitetesh pa diplomë të lartë, apo siç patëm dhe kemi të huaj që diplomohen në Shqipëri pa ardhur asnjëherë në shkollë, pa ditur shqip dhe pa e ditur emrin e institucionit referues. Kur ky muaj më parë një pronar universiteti na e servirën si kandidatin më evropian e modern për kreun e shtetit, ndërkohë që universiteti i tij figuron diku në fund në listën ndërshqiptare; kur krerët e qeverisë dhe MASH janë prezent në ceremoni dhe thurin lavde pa fund për universitete të cilësisë së tretë apo kur shihet se deputetë e ministra drejtojnë universitete me standard të krahasueshëm vetëm me Mozambikun ose Korenë e Veriut, shihet qartë se sistemi aktual arsimor po (keq)përdoret për të mbajtur në këmbë një sistem antivlerë, një imazh mashtrues dhe një realitet virtual për potencialet pozitive të shtetit dhe shoqërisë shqiptare.
Sentenca e njohur se fytyra e arsimit të sotëm përbën fytyrën e shoqërisë dhe elitës së nesërme e bën rankimin universitar dhe gjendjen e arsimit shqip edhe më shqetësues. Në një vend e shoqëri normale do të duhej që qeveria urgjent të ndërhyjë për korrektimin e sistemit dhe gjetjen e opsioneve pozitive për të ardhmen e tij. Ajo nuk e bën, ajo hesht sepse ajo e ka prodhuar këtë situatë, ndaj me siguri, në ditët e javët e ardhshme do të dëgjojmë fjalime të tjera për arritjen historike arsimore. Do të duhej gjithashtu që parlamenti të mblidhej në komision dhe seancë për të analizuar problematikën dhe për të ofruar zgjidhje afatgjatë ligjore detyruese për ekzekutivin. Edhe kjo nuk ndodh sepse vetë drejtuesit e parlamentit dhe deputetë akuzohen për diploma fiktive, për plagjiaturë dhe mashtrime me tituj akademikë, dhe se vetë parlamenti mbetet jofunksional për qytetarët dhe në varësi nga agjenda politike e ditës. As mazhoranca dhe as opozita nuk kanë shprehur ende asnjë vlerësim për këtë raport kritik për Shqipërinë, ndërkohë që kur bëhet fjalë për replika boshe dy palët zhvillojnë çdo ditë dy - tre konferenca të rregullta shtypi. Do të duhej gjithashtu që vetë bota akademike, Akademia e Shkencave, Konferenca e Rektorëve, vetë universitetet, të marrin në analizë problematikën komplekse dhe të dalin me një platformë reformimi për ndryshimin e saj emergjent. As kjo nuk ndodh sepse bota akademike në Shqipëri është shtojcë e botës politike, pra e atyre zyrtarëve e politikanëve që kanë krijuar, kanë drejtuar ose janë diplomuar në këto krijesa fiktive universitare. Do të duhej që edhe vetë studentët, komuniteti rinor dhe senatet të flisnin në mbrojtje të cilësisë universitare dhe reformimit të sistemit. Në Kili studentët po e bëjnë prej dy javësh, kurse për studentët dhe rininë shqiptare, fatkeqësisht, lajm më i rëndësishëm është nëse u nda Genta me Ermalin sesa rankimi katastrofal universitar. Së fundi, do të duhej që media dhe shoqëria civile, dhe vetë qytetarët, komuniteti i prindërve dhe atyre që ndodhen në studim, të reagonin për ndryshim, reformim dhe përgjegjësi, gjë që nuk ndodh për shkak se qytetaria dhe kurajë civile nuk bashkëjetojnë dot me një shoqëri të ngritur dhe ushqyer me sistem antivlerë.
Çfarë mbetet më tej? Asgjë nuk (po) lëviz. Një sistem i kalbur dhe parademokratik reagimi. Një vend ku ende është e gjithëpranuar shprehja se çudia më e madhe zgjat 3 ditë. Kaq zgjati edhe debati mbi rankimin. Ky është lajmi më i keq, një lajm alarmues dhe pesimist për të sotmen. Gjithsesi, kjo është e mbetet një sfidë, një shenjë inkurajimi për të reaguar më shumë për të gjithë ata qytetarë, të rinj dhe të diplomuar që në formimin dhe ndërgjegjen e tyre kanë sadopak kurajë, qytetari, reaksion ndaj të keqes, ndaj apatisë dhe mjedisit korruptiv, kanë sjellje të përgjegjshme dhe aspiratë për një të ardhme më të mirë për veten, fëmijët dhe vendin ku jetojmë.

(Shkrimi u botua ne Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sarandë/ Vrau burrin, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja

Sarandë/ Vrau burrin, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja