Shqipëria i bashkohet Bienales
“Art D-0 ARK Underground”

Shqipëria i bashkohet Bienales<br />“Art D-0 ARK Underground”
Ditën e sotme, në ambientet e Ministrisë së Kulturës, është prezantuar Projekti i Bienales për Artin Bashkëkohor Art D-0 ARK Underground, i cili realizohet dhe nën patronazhin e UNESCO-s. Ky projekt do të vihet në zbatim në bashkëpunim me ministritë e kulturës të Republikës së Serbisë, Malit të Zi, Republikës së Kroacisë, Republikës së Turqisë dhe Bosnje Hercegovinës. Risia qëndron se, për këtë edicion të tretë, Shqipëria sëbashku me Austrinë janë dy vendet më të reja partnere.

“Jemi këtu sot për të prezantuar Projektin e Bienales për Artin Bashkëkohor Art D-0 ARK Underground, i cili na tregon se diplomacia përmes kulturës e kthen një vend të vogël ballkanik në një strehë Arti ndërkombëtar, një objekt të destinuar për luftë në një energji Arti. Eksperiencat e mëparshme me Bienalen e Arkitekturës 2014, pavijoni shqiptar i të cilit u vlerësua nga shtypi dhe vizitorët, apo ekspozitat Co-Existence dhe pjesëmarrja më e afërt në Bienalen e Venecias përforcojnë më së miri dialogun kulturor shqiptar në arenën ndërkombëtare.

I bashkohemi këtij projekti që ka patronazhin e UNESCO-s. Kam kënaqësinë të them se edhe Ministria e Kulturës gjen qasje të njëjta me projektet e rajonit, pasi po ecën me të njëjtat ritme dhe filozofi, po përpiqemi të shfrytëzojmë objekte të së kaluarës të konceptuara për luftë, për ti kthyer në vende arti”- u shpreh gjatë fjalës së saj ministrja Kumbaro.

D-0 Ark Underground, në tërësi, është një eveniment i rëndësishëm i artit bashkëkohor në rajonin tonë, që zhvillohet në krye të dy viteve në Bosnje në Hercegovinë, në një bunker anti-bërthamor, ndërtuar gjatë viteve 70.

Qëllimi i projektit D-0 ARK Underground është të mbrojë objektin ARK (Komanda e Luftës Atomike) prej shkatërrimit dhe në të njëjtën kohë ti japë një jetë të re kësaj godine me energjinë që e sjell vetëm arti. Gjithashtu ky objekt do të transformohet në Muzen e Artit Bashkëkohor D-0 ARK.

 “Jemi shumë të lumtur që Shqipëria dhe Austria do të jenë partner për këtë edicion. Ata do ta bëjnë më të fortë projektin tonë. Ju kujtoj se bunkeri i mbyllur, një histori për epokën e Luftës së Ftohtë ka patur në edicionet e mëparshme rreth 44.000 vizitorë, duke u kthyer në një pikë të rëndësishme të artit bashkëkohor”- u shpreh Edo Hozić, Drejtor i Projektit të Bienales.

Sipas organizatorëve të këtij eventi Projekti i Biennales për Artin Bashkëkohor D-0 ARK Underground mbështet çështje si ajo e demokracisë, tolerancës, pranimit të diversitetit dhe variacionit të identiteteve.

Drejtoria e Projektit të Bienales për edicionin e tretë të Biennales për Artin Bashëkohor, i cili do të mbahet në prill 2015 në Konjic, ka zgjedhur dhe ka nisur komunikimin me kuratoren e Shqipërisë, Adela Demetja, e cila do të bashkëpunojë me Galerinë Kombëtare të Arteve për këtë pjesëmarrje të Shqipërisë.

 
Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje