Shqipëria është mes vendeve ballkanike që janë vënë në kërkim të gazit dhe naftës në ujërat e Adriatikut dhe Jonit. Të paktën kështu shkruan  prestigjozja italiane Corriere della Sera, që në një artikull me titull “Gara për gazin e Adriatikut”, saktëson se Greqia dhe Mali i Zi kanë nisur ose po nisin gara ndërkombëtare për kërkimin dhe shfrytëzimin e naftës dhe gazit në ujërat e tyre territoriale.
 
Sipas gazetës në fjalë, Shqipëria pritet të bëjë shumë shpejt të njëjtën gjë ndërsa puset e para parashikohet të jenë operative në vitin 2018. 
 
Më pas qëndron Kroacia që më 2 prill nisi një garë për eksplorimin e ujërave të saj që do të përfundojë më 3 nëntor me prezantimin e ofertave.
 
Bëhet fjalë për 29 blloqe prodhimi që Qeveria e Zagrebit synon të fillojë të shfrytëzojë brenda 3-5 vjetësh. 
Sipas gazetës italiane, kriza ekonomike ka shërbyer si katalizator që fqinjët përballë çizmes të rrisin ritmin. Zabrebi, Podgorica, Tirana dhe Athina kanë marrë shembull nga sa ndodhi në Qipro,  shkruan Corriere della Sera,  ku u zbuluan rreth 200 miliardë metra kub rezervë gazi. Corriere shkruan se sot është e pamundur të dishë sa gaz dhe naftë gjendet nën Adriatik dhe Jon.  



Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)