Kur shqyrtojmë situatën në Ballkanin Perëndimor, ne priremi të flasim për marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kroacisë, për çështjet e hapura në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe për Kosovën dhe problemet serioze që ka ajo, qoftë ekonomike, qoftë edhe etnike. Shqipëria, për shkak edhe të pozicionit gjeografik, është disi në periferi të këtyre diskutimeve. Megjithatë, ky këndvështrim duhet të ndryshojë. Një analizë e thellë mbi Shqipërinë do të mund t’u jepte përgjigje të gjitha pikëpyetjeve lidhur me vazhdimësinë e paqes në Ballkan, ose të paktën do të mund të jepte përgjigjet për shumë nga ato pikëpyetje.

Pikësëpari, duhet të theksojmë se në Shqipëri jetojnë 3 milionë shqiptarë, ndërsa në vendet fqinje jetojnë rreth 2 milionë shqiptarë. Në rrethana normale ky mund të përbëjë një avantazh, qoftë për Shqipërinë, qoftë edhe për vendet e tjera përreth. Gjithsesi, situatat konfliktuale mund të rinisin ngritjen e nacionalizmit, i cili është gjithmonë një kërcënim për Ballkanin dhe krijon kaos.

Procesi integrues për në Bashkimin Evropian i redukton shanset për prekjen nga ky rrezik dhe kjo është një arsye primare për ta mbështetur këtë proces. Por sigurisht që në Shqipëri ka ende probleme lidhur me mungesën e traditës demokratike dhe me mungesën e zgjidhjeve demokratike të disa çështjeve.

Por çështja kryesore është që të gjejmë një konsensus të gjerë për të zgjidhur ngërçet politike dhe sociale. Unë kam qenë raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian dhe e kam vizituar Shqipërinë disa herë. Gjithmonë jam përpjekur të shpjegoj se fjala magjike është kompromisi dhe jo konsensusi. Kjo e fundit është karakteristikë e tipave të tjera të qeverisjeve, jo të demokracisë.

Unë shpresoj sinqerisht që Shqipëria ta adoptojë mënyrën e të bërit kompromis për të zgjidhur problemet e saj. Kjo nuk është e lehtë, por ama është e realizueshme. Vështirësia qëndron te polarizimi politik i vendit. Ideja se fituesit i takojnë të gjitha duhet hedhur poshtë, sidomos kur e ardhmja e këtij vendi është orientuar drejt BE-së. Fatkeqësisht, të dy krahët politikë, janë përpjekur fort për ta stimuluar polarizimin, si edhe për të gjetur armiq brenda atyre që nuk mendojnë ndryshe nga ata. Kjo është një praktikë e rrezikshme, edhe për vetë vendet që kanë tradita të gjata të demokracisë. Për Shqipërinë është shkatërrimtare. Një nga hapat pozitiv në këtë drejtim ishte implementimi i Kodit të Nëpunësit Civil, i cili supozohet t’iu japë fund emërimeve dhe shkarkimeve arbitrare në administratën shtetërore. Zbatimi i këtij kodi duhet të monitorohet në vazhdimësi.

Shqipëria, në një masë të mirë të qytetarëve evropianë, perceptohet si vend i korruptuar dhe me krim të organizuar. Pavarësisht kësaj, ka disa arsye të vërteta për këtë perceptim, edhe pse të njëjtën gjë mund të themi pa frikë edhe për vendet fqinje të Shqipërisë.
Qeveria shqiptare po përpiqet shumë për t’i luftuar këto fenomene dhe për të shfaqur imazhin e ri të Shqipërisë – dhe po ia del në të shumtën e rasteve. Por qeveria shqiptare duhet ndihmuar për këtë luftë, qoftë financiarisht qoftë edhe nga ana organizative, në mënyrë që ta transformojë rrënjësisht vendin dhe njerëzit të mos kenë më frikë nga krimi, edhe pse ky i fundit është dhe do të mbetet prezent në të gjitha vendet e botës. Kur vizitova Shqipërinë për herë të parë, rreth dy vjet më parë, policia sapo kishte mbyllur një numër të konsiderueshëm kazinosh të paligjshme dhe ishte mjaft krenare për këtë.

Mirëpo, fatkeqësisht, askush nuk u arrestua për këtë aktivitet të paligjshëm. Një pjesë e pronarëve të tyre ishin paralajmëruar për aksionin dhe e braktisën vendin. Kur i pyeta nëse ata e dinin se kush i kishte paralajmëruar ata pronarë kazinosh për aksionin, ata më thanë se po dhe bëhej fjalë për zyrtarë të lartë të policisë. Kur i pyeta nëse do të arrestohej ndonjë prej tyre për këtë gjë, ata thjesht më shikonin me habi sikur nuk arrinin ta kuptonin pyetjen: si mund ta arrestosh një polic? Por deri tani, shoh se kjo dilemë nuk ekziston më.
Media në Shqipëri është në zhvillim. Ka shumë televizione, radio, të përditshme mjaft të mira private, ku pjesa më e madhe kanë një varësi financiare dhe editoriale nga politika.

E vetmja media që është jo shumë tërheqëse është ajo publike. Në një vend në zhvillim me vetëm disa njerëz të pasur, mungesa e një medieje të fortë publike mund të rezultojë në një terror informacioni, ku njerëzit mund të manipulohen thjesht. Sigurisht që të rinjtë flasin dhe kuptojnë shumë mirë anglisht dhe mund të ndjekin mediet e huaja, por media publike vendase është mjaft e rëndësishme dhe faktor i ngritjes së kulturës demokratike. Dua të përmend edhe tolerancën fetare, e cila është diçka fantastike për Shqipërinë.

Shqiptarët nuk kanë ndasi fetare dhe kjo duhet mbështetur fort. Por disa radikalë myslimanë janë përpjekur ta shkatërrojnë këtë balancë dhe qeveria shqiptare duhet të mbështetet në luftën për të mbrojtur tolerancën fetare. Ata e kanë ndërtuar këtë tolerancë prej shekujsh dhe nuk mund ta lejojmë që të shkatërrohet brenda disa muajsh. Është kaq e shtrenjtë.

Gjithashtu dua të flas edhe për një çështje tjetër të rëndësishme. Shqipëria është një vend i varfër, me infrastrukturë të dobët dhe teknologji të vjetruar. Edhe pse Parlamenti dhe Komisioni Evropian mund të ngulmojnë drejt privatizimit të disa sektorëve unë mendoj sinqerisht se nuk është koha e duhur.

Fillimisht mund të duket si një lëvizje e mirë për të sjellë investitorë, por në terma afatgjatë do të ketë kosto të mëdha për Shqipërinë. Unë mendoj se Shqipëria duhet të ndalojë privatizimet menjëherë, sidomos për burimet e saj nëntokësore dhe infrastrukturat e rëndësishme. Pendimi do të jetë mjaft i afërt nëse qeveria i lejon këto lloj privatizimesh.

Dhe e fundit, Shqipëria është në vigjilje të nisjes së negociatave me BE-në. Momentalisht kjo nuk mund të ndodhë tani, por 2015-ta duhet të jetë viti i nisjes së tyre. Nga njëra anë ata e kanë merituar këtë, por nga ana tjetër edhe ne kemi nevojë për ata. Kur ky moment të vijë, sfida të tjera do të dalin përpara. Unë mendoj se sa më të gjata dhe të vështira të jenë negociatat, aq më shumë do të përfitojë Shqipëria gjatë këtij procesi. Çështjet e drejtësisë dhe që lidhen me reformën e saj do të jenë mjaft interesante për t’u diskutuar dhe përcaktuese në rrugëtimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

(Autori ka qenë raportuesi për Shqipërinë në PE)