Myslimanët në Shqipëri u tronditën shumë nga botimi i një hartë të kalifatit të ardhshëm islam, që është planifikuar nga militantët islamikë në Lindjen e Mesme, e cila përfshin edhe Shqipërinë.

Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit, ISIS, i cili po terrorizon Irakun dhe Sirinë, publikoi një hartë në internet, duke treguar të gjitha territoret që aspiron të pushtojë në pesë vitet e ardhshme.

Sipas hartës, grupi radikal militant suni, synon të aneksojë Afrikën e Veriut, Gadishullin Iberik, Lindjen e Mesme, Gjirin Persik dhe një pjesë të mirë të Evropës Lindore, duke përfshirë edhe Shqipërinë.

Është e paqartë nëse harta është vetëm një mjet i propagandës së tyre apo ajo pasqyron plane konkrete nga ana e grupit militant.

Një pjesë e besimtarëve në vend e kanë përshkruar në rrjetet sociale idenë e krijimit të një shteti islamik, si tërheqëse. Por shumica besojnë se krijimi i një shteti islamik që përfshin të gjitha tokat e zëna dikur nga myslimanët, është një fantazi e plotë.

Edhe pse disa shqiptarë etnikë janë bashkuar në radhët e grupit militant, ekspertët venë re se ISIS është krijuar nga një grindje sektare midis sunitëve dhe shiitëve të besimit mysliman. Kështu, shumë prej besimtarëve myslimanë në Shqipëri janë skeptikë për një aneksim të tillë territorial nga grupi militant.

"Një numër i besimtarëve me një nivel të ulët të arsimit kanë treguar entuziazëm në lidhje me deklarimin e një kalifati, por pjesa tjetër vazhdon të mbetet skeptike", tha Justinian Topulli, kryetar i Lidhjes Shqiptare të Imamëve.

"Për pjesën më të madhe të myslimanëve, kjo duket artificiale, si një konspiracion i organizuar nga forca të caktuara, në vend që të krijohet një kalifat", shtoi ai.

Në mars të këtij viti, autoritetet shqiptare arrestuan tetë persona, duke përfshirë dy imamët radikalë, të dyshuar për rekrutimin e shqiptarëve për bashkimin me grupet militante në Siri.

Shqipëria ka një traditë të gjatë të bashkëjetesës paqësore ndërmjet besimeve të ndryshme fetare. Por, për shkak se ajo është një vend me shumicë myslimane, ISIS ka marrë një interes të veçantë në Shqipëri.

Marrë nga "Shekulli"

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)